Shkrim i publikuar nga 27.al
Nga Alma Nikolli
Kisha mendime të zymta sot në mëngjes. Të nxitura nga të rinjtë e vendit tim, moshatarë të mitë apo jo, miq të mitë apo jo, megjithatë bashkëatdhtarë të mitë dhe të tutë. Të rinj që u duhet një patericë për të arritur qëllimet në jetë. U duhet të mbahen në supin e partive për të projektuar të ardhmen, s’di të them të aftë apo të paaftë, ama frikacakë. E mbërthyer nga këto ndjesi, me të cilat nuk do të doja asesi të nisja ditën, u njoha me Danielën.
Daniela më kujtoi se kjo e shtunë ishte një ditë e dielltë. Në fakt, ajo kishte përlotur shumë shqiptarë mbrëmë gjatë “The voice kids”, por jeta deshi që unë ta shoh sot, pikërisht sot kur kisha në plan që kryesisht të mërzitesha.
Për ju që e keni parë e dini mirë se cila është Daniela, por për ju që nuk e keni parë më lini t’ua tregoj unë.
Daniela është 13 vjeç. Jeton në qytetin e Kukësit me motrat dhe gjyshen, sepse i duhet të shkollohet, kurse prindërit e saj vijojnë të jenë në fshat. Të shtunë, të dielë ajo lë qytetin për t’i vizituar, dashur dhe ndihmuar. Qëron misrat, mbledh ftonj dhe këndon maleve duke kullotur dhitë.
Prindërit e saj nuk kanë mundësi që t’i paguajnë kurse pafund që ta detyrojnë të bëhet e talentuar, por mesa duket cicërima e zogjve dhe tingulii i gjetheve e burimeve në male kanë formësuar më rrënjësisht se asgjë talentin.
Ajo nuk është si ca vogëlushe të llastuara apo të sigurta në vetvete se janë më të mirat. “Nuk dua të fitoj, dua të argëtohem. E di që do kem emocione”, tregon Daniela.
Balluket e saj të shpërndara ngado shkon era më flasin për një shpirt të lirë, për një fëmijë me buzë të palyera që do ato që Zoti i ka dhënë.
Ajo nuk thotë siç mund ta kemi thënë shumë prej nesh “babi, mami më lindët pa më pyetur, ndaj më siguroni ato që kanë dhe shoqet e mia”. Daniela kërkon të triumfojë, sepse do që edhe ajo t’ua shpërbeljë prindërve atë që atë kanë bërë për të.
Daniela mund të mos fitojë garën, mund edhe të mos dalë nga varfëria, ama me buzëqeshjen dhe shpirtin e saj fëmijëror me siguri që do jetë në jetë të jetëve frymëzim për këdo që nuk ka asgjë më të të rëndësishme për të bërë se sa për të jetuar.