Sonte në natën Finale të ‘The Voice Kids’ nuk do të mungojnë emocionet, zërat dhe muzika e bukur. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi fëmijët janë shoqëruar nga orkestra profesioniste e ‘The Voice Kids’. Duke nisur nga Netët Live orkestra është bërë edhe më e madhe duke përfshirë dhe harqe. Sonte, në natën Finale pritet të luajë orkestra më e madhe ndonjëherë në ‘The Voice’. Në lidhje me këtë flet Drejtori Artistik, Alban Male.

Alban sa e rëndësishme është që të ketë muzikë Live në një spektakël dhe veçanërisht në ‘The Voice Kids’?

Është shumë e rëndësishme muzika live. Emocioni që merr live nga këngëtari është shumë i ndryshëm nga ai që këndon me playback dhe e njëjta gjë ndodh dhe me tingullin që del nga Orkestra. Ky është një kontribut shumë i rëndësishëm për të gjithë muzikën në Shqipëri për mënyrën sesi po shkojnë gjërat. Është një kontribut për vazhdimësinë e shkollave muzikore në Shqipëri. Në momentin që çdo gjë bëhet playback, në studio, nuk ka të ardhme as për instrumentistët e rinj, as për talentet e reja, që nuk është se mungojnë në Shqipëri. Pra ky është një kontribut i përgjithshëm, i cili nëpër botë ruhet me shumë xhelozi si një investim parësor në muzikë.

Ç’mund të na thuash për orkestrën e harqeve.

Kemi patur një eksperiencë të ngjashme dhe vitin e kaluar, ku kemi bërë një ‘Big Band’, por këtë herë është edhe më e madhe dhe e bukur. Kemi këtë herë 30 harqe, si një kontribut qoftë edhe për Akademinë e Arteve dhe instrumentistët. ‘The Voice Kids’ është një kontribut kulturor për të gjithë gamën e artistëve në Shqipëri. Jo vetëm fëmijët konkurrentë, por të gjithë artistët. Instrumentistët, performuesit, balerinët. Dhe shumë nga fëmijët që kemi janë vetë instrumentistë përveçse këngëtarë. Ka pianistë, ka violinistë, ka kitarristë, bateristë. Për këtë finale kemi marrë dhe një grup fëmijësh shumë të talentuar, bateristë që vijnë enkas nga Kosova.

Fëmijët si e kanë përballuar orkestrën live. Disa vijnë nga shkolla muzike dhe janë instrumentistë, por disa të tjerë jo. A kanë patur ata probleme të punojnë me një orkestër profesioniste?

Të jem i sinqertë është një gjë për t’u admiruar tek konkurrentët e këtij viti pasi kemi parë fëmijë nga 8, 9, 10 , maksimumi 14 vjeç që kanë një siguri të mahnitshme në skenë. Një stabilitet në këngë, në mënyrën sesi e mendojnë performancën në tërësi. Është pasqyra më e mirë treguese sesa ndikojnë 4-5 muaj pune. Vijnë pa asnjë eksperiencë në skenë dhe pas një kohe kaq të shkurtër ata janë bërë artistë në të gjitha kuptimet dhe janë gati të ngjiten në çdo skenë. Kanë përballuar një orkestër, të cilën dhe këngëtarë me shumë eksperiencë me zor e përballojnë.

Si ndërthuret orekstra me spektaklin televiziv?

Ecën gjthçka organike dhe është një element shtesë që i shton vlerën gjithçkaje, sepse kështu fëmijët mësohen me mënyrën sesi duhet të sillesh në një skenë. Mimika televizive, frymëmarrja dhe gjithçka. Skena e ‘The Voice’ është një hibrid midis një skene teatri, opere, pop-i, rock-u. Një art i kompletuar. Shumë këngë i kemi musical, që është një ndër zhanret më të vështira në të cilat mund të lëvrojë një këngëtar.

Si do të jetë Finalja?

Finalja do të jetë diçka spektakolare, për këtë u siguroj. Jo vetëm nga dimensioni i audios, por në total, në çdo element. Imazhi, performanca, të ftuarit… do të jetë spektakli më i bukur që është bërë deri më sot sipas meje.