Arilena Ara

Trajnere

Artistja e talentuar, Arilena Ara nisi të këndojë për herë të parë në moshën 6-vjeçare. Në moshën 11-vjeçare ajo mori pjesë në një kompeticion për fëmijë në Shqipëri ku u rendit e treta ndërsa 2 vite më vonë vendosi të shfaqej në një tjetër spektakël këndimi, i famshëm për kohën, duke zënë vendin e parë.

Në vitin 2014 ajo lançoi projektin e saj të parë muzikor, “Aeroplan”. Muaj më vonë, Arilena solli një tjetër prurje të shoqëruar edhe me klip, “Business Class”. Gjatë kësaj periudhe ajo publikoi edhe një tjetër këngë të titulluar “Vegim”, dedikuar babait të saj të ndjerë, që rrëmbeu menjëherë zemrat e publikut.

“Nëntori” ishte hiti muzikor i vitit 2016 me të cilin fama e saj katapultoi jashtë kufijve shqiptarë duke mbajtur kreun e klasifikimeve muzikore europiane e jo vetëm, për javë të tëra. Kjo baladë u rendit e para në “Shazam” dhe “Itunes” në më shumë se 24 shtete.

Arilena Ara gjithashtu ka performuar në “Europa Plus” në Rusi, festivali më i madh i muzikës në Europë ku “Nëntori” u çertifikua me 5 disqe “Platinium”. Në Kazakistan gjatë festivalit “Astana Dausy”, ajo rrëmbeu kupën për këngën më të mirë të vitit për “Nëntori” e njëkohësisht ky projekt shënon edhe 340 miksime zyrtare.

Muaj më parë, ajo u shfaq në skenën e “The Voice of Romania” për të performuar live këtë hit të jashtëzakonshëm ndërsa këtë vit, ajo ulet për herë të parë në karrigen e kuqe duke u bërë zyrtarisht trajnerja më e re e edicionit të tretë të këtij spektakli.