Ledion Liço

Producent Ekzekutiv

Ledion Liço është moderator i “The Voice of Albania” që prej edicionit të tij të parë. Për shkak të përvojës së gjatë në television, por edhe karakterit të tij të veçantë, Liço arrin ta zotërojë spektaklin lehtësisht, të shfaqet në humor e të bashkëbisedojë në mënyrë sportive me trajnerët dhe konkurrentët në garë.

Ai nuk është moderatori tipik. I vendosur të duket ndryshe duke mbetur i njëjti prezantues energjik e rinor, Ledion Liço ka zgjedhur të luajë me shfaqjen në ekran, por ta bëjë këtë në mënyrë elegante duke shfrytëzuar një armë që shpesh e bën publikun për vete, autoironinë.

Ai është një moderator i guximshëm, që jo gjithmonë thotë atë që të tjerët presin, prandaj në skenë Liço nuk është vetëm menaxhues i shfaqjes dhe ndërlidhës i pjesëve përbërëse të saj, shpesh ai është vetë shfaqja.

Përvoja e gjatë mediatike si drejtues i spikatur televiziv në një sërë programesh të prodhuara nga Top Channel “Shtojzovallet”, “Unplugged” “Rewind”, “Wake Up”, “Top-Fest”, “Big Brother”, “Top Awards”, e bën atë një nga moderatorët më të suksesshëm në vend, e padyshim më të famshmin e gjeneratës që përfaqëson.

Ledion Liço kërkon për më shumë dhe provon të jetë jo vetëm moderator, por edhe autor e producent televiziv. Pas “The Voice of Albania” në edicionin e gjashtë, e cila rezultoi një sukses më vete, ai vjen këtë sezon me një sprovë tjetër akoma më sfiduese, “The Voice Kids”.