6 fëmijët të cilët ia dolën të preknin Finalen e madhe të spektaklit ishin Denisi, Ana, Frensi, Sindi, Rita dhe Klea. Talenti i tyre i padiskutueshëm dhe rritja profesionale gjatë gjithë kohëzgjatjes së spektaklit bëri që performancat në mbrëmjen e fundit të spektaklit të ishin fantastike.

Performanca e parë e Denisit ishte “I surrender” nga Celine Dion. Si gjithmonë Denisi ia doli të përcjellë emocionin e tij tek të gjithë teleshikuesit dhe të pranishmit në sallë, të cilët shijuan maksimalisht njërin prej interpretimeve më të bukur të Finales.

Ana u ngjit në skenë për të performuar këngën “Refuzoj” nga Alban Skënderaj. Atmosfera e cila u krijua edhe nga interpretimi në piano ishte magjike. Ana për të disatën herë, tregoi se është një artiste e shkëlqyer.

Frensi befasoi me “Bodak Yellow” nga Cardi B.  E shoqëruar edhe nga trupa e baletit, interpretimi i saj dukej sikur ishte marrë nga skenat e mëdha botërore. Ajo tregoi se di të bëjë edhe një zhaner tjetër muzikor, duke dalë nga spektakli si një artiste mjaft e kompletuar.

“Don’t speak” nga No Doubt ishte interpretimi i fundit i Sindit në skenën e ‘The Voice Kids’. E vetme dhe me një stativ të ndriçuar, Sindi arriti të përcjellë shumë emocion tek të pranishmit dhe trajnerët, të cilët fazë pas faze nuk kanë nguruar ta komplimentojnë për rritjen profesionale gjatë spektaklit.

Si gjithmonë me shumë stil, Rita performoi në Finale “Best thing I never had” nga Beyonce. Materiali muzikor mjaft i njohur mori duartrokitjet dhe komplimentet e trajnerëve. Rita ishte e vetmja shqiptare e Kosovës që arriti të jetë pjesë e Finales së madhe.

Klea, krenaria e Dibrës së Madhe i qëndroi besnike rrymës rrok deri në fund. Kënga “You give love a bad name” nga Bon Jovi kërkon energjinë që Klea diti të dhurojë me performancën e saj. Ajo është e vetmja artiste shqiptare nga Maqedonia që mori pjesë në edicionin e dytë të spektaklit.

Të gjitha performancat kanë qenë të kuruara në detaje dhe të gjashtë finalistët kanë performuar si profesionistë të vertetë. Por cila është performanca juaj e preferuar? Komentoni në të gjitha rrjetet tona sociale zyrtare.