Gjatë muajit shtator fëmijët nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova patën mundësinë të provonin veten në audicionet që u mbajtën për spektaklin e talenteve ‘The Voice Kids’. Spikatën qindra fëmijë nga dy ditët e audicioneve të Tiranës, Vlorës, Korçës, Prishtinës dhe së fundmi Shkodrës. Të veshur me energjinë dhe spontanitetin fëmijënor, por të mbështjellë nga një element që nuk njeh moshë, talentin, krijuan momente unike gjatë fazës përzgjedhëse për zërin më të mirë.

Në finalizimin e këtyre audicioneve dhe në pritje të audicionit të fundit që do të jetë sërish në Tiranë, do të veçonim çastet më të bukura. Në Tiranë, instalacioni i vendosur në hyrje të Piramidës me shkrimin e madh “Love”, në ngjyrë rozë e cila është ngjyra dalluese e këtij edicioni, shërbeu si libër ku u shkrua një mini histori, si kujtesë e dëshirës së fëmijëve, për të gjetur një vend në një skenë të rëndësishme.

E njëjta dëshirë shoqëroi çdo audicion, ku fëmijët pozuan përpara sfondit me logon e ‘The Voice Kids’, duke ndalur çastin e fillimit të një aventure suksesi. Vlora na shërbeu më të mirët duke surprizuar me potencialin që mbarte. Korça ishte një paradë muzikantësh të përgatitur profesinalisht. Shkodra plot buzëqeshje dhe fëmijë të vendosur për atë që donin të arrinin. Prishtina na serviri ashtu si kurdoherë talentet e saj më të mira.

Nuk kumbuan vetëm zërat, por personaliteti, simpatia dhe karakteri. Përballë Vocal Coach-ëve nuk u prezantuan disa fëmijë që këndojnë, por individë që kanë nevojë për një skenë, për të shprehur identitetin e tyre artistik. Skena e ‘The Voice Kids’ do të jetë e duhura për ta.