Një tjetër mbrëmje mbyllet mes shumë emocionesh në “The Voice Kids”, e dyta e fazës së Betejave.

Në përfundimin e Betejave ishin 6 konkurrentë të cilët arritën të kalonin me sukses këtë fazë duke u kualifikuar kështu në Netët Live.

Nuk kanë munguar as sonte momentet e papritura dhe argëtuese që ka ofruar spektakli. Që në Betejën e parë ishte Miriami ajo e cila sërish i druhej vendimit për të përzgjedhur konkurrentin që do të çojë në Netët Live.

Trajnera që para performancës së Majselës, Erzës dhe Antonellës u shpreh se nuk do të mundej të zgjidhte mes tyre pasi secila është njëlloj e talentuar.

Një interpretim shumë energjik erdhi më pas nga Beteja mes Markusit, Ermalit dhe Gledisit të cilëve Arilena u kishte përzgjedhur këngën që u shpall hiti i vitit 2017-të, “Grils Like You” nga Maroon 5 dhe Cardi B.

Shumë emocionuese ishte edhe Beteja mes Iseas, Sarës dhe Donit për të cilët Aleksandër dhe Renis Gjoka u kujdesën që të ishte perfekte pasi këta konkurrentë ishin dhe më të vegjlit e skuadrës së tyre.

Në “The Voice Kids” artistët jo vetëm stërviten vokalisht gjatë provave për performancat e tyre por gjithashtu bëhen pjesë e eksperiencave e mësimeve të reja siç është edhe përvetësimi i një gjuhe të huaj. I tillë ishte rasti i Enkelës, Marias dhe Noas me “Dernière Danse” nga Indila. Vajzat u përgëzuan jo vetëm për interpretimin dhe saktësinë por edhe për mënyrën perfekte sesi kënduan në gjuhën frënge.

Dojna Mema u përlot sërish nga një tjetër performancë shumë e ndjerë siç ishte ajo e Anisës, Violetës dhe Sofikës të cilat u përballën në Beteja me baladën e Lady Gaga dhe Bradley Cooper, “I’ll Never Love Again.

Javën e ardhshme bëhuni gati për të tjera momente po kaq të bukura sa këto pasi Betejat rikthehen sërish të premten, por për herë të fundit!