Skuadra Gjoka natën e dytë të ‘The Voice Kids’ arriti të kryesojë me numrin më të madh të fëmijëve të marrë në skuadër. Ata zgjodhën të shtypin butonin e kuq për 6 nga fëmijët që konkurruan dhe katër prej tyre zgjodhën ata si trajnerët e parapëlqyer.

E para që iu shtua Skuadrës Gjoka mbrëmjen e dytë të Audicioneve të Fshehura ishte Mei. Ajo i bashkohet Sindit, Teas dhe Luisidës, të cilat janë pjesë e Skuadrës Gjoka nga java që shkoi. Vajza nga Tirana, e cila është një artiste e gjithanëshme pasi merret me aktrim dhe pikturë përveç këngës është vlerësuar nga dyshja e trajnerëve si një zë i duhur për të ndërtuar skuadrën e tyre. Një talent që skuadra Gjoka e donte me patjetër në skuadrën e tyre ishte Patris. Violinistja e vogël u gjend në skenë pas performancës duke bërë duet me violinë me Renis Gjokën, në tentativë për ta bindur të zgjidhte ata në vend të Enedës dhe Miriamit. Ata nuk e dinin faktin që Patrisi në intervistën para se të dilte në skenë është shprehur se trajneri i saj i preferuar ishte Aleksandër Gjoka. Kejsi, zgjidhet nga trajnerët për t’iu bashkuar skuadrës së tyre. Ëndrra e saj për të performuar në një skenë përpara publikut do të vazhdojë ende. E fundit që zgjodhi Aleksandër dhe Renis Gjokën ishte Frensi. Frensi dhuroi një performancë që i bëri të treja karriget të ktheheshin pothuajse menjëherë dhe ‘lufta’ për të ishte reale midis trajnerëve. Miriami i ofroi biskota, ndërsa Eneda premtimin e një ëmbëlsire, e megjithatë Frensi zgjodhi trajnerët që mendonte që i përshtateshin më shumë stilit të saj. Me Frensin skuadra Gjoka arrin në një total prej 7 artistësh.