Ishte një mbrëmje me emocione mbërthyese ajo e Betejave, një fazë e cila sapo ka nisur në “The Voice Kids”.

Konkurrentët e të gjitha skuadrave u përballën me njëri-tjetrin në një trio të vendosur nga trajneri përkatës dhe secila performancë e Betejave ishte mbresëlënëse.

Betejat e skuadrës së Miriam Canit ishin plot surpriza. Blinera, Gazmenda dhe Samanta performuan me shumë emocione këngën “Qaj” ndërkohë që fituesja e Betejës u përzgjodh Blinera. Margeni, Orgito dhe Sildi gjithashtu lanë pa fjalë publikun me energjinë e tyre. Ata u përballën në ringun e Betejave me këngën “Treasure” ndërkohë që Miriami përzgjodhi këtë të parin për të marrë me vete në Netët Live.

Edhe Betejat e skuadrës Gjoka ishin po kaq emocionuese dhe energjike. Të parat të cilat u ngjitën në skenën e Betejave ishin Sara, Elma dhe Era të cilat u paraqitën me këngën rrok, “What Do You ëant From Me”. Gjokat vendosën që nga kjo Betejë të shpëtojnë Sarën e cila automatikisht u kualifikua në Netët Live. Krejtësisht në një rrymë tjetër ishte Beteja e dytë e kësaj skuadre ajo mes Alesjas, Kejvit dhe Kadës. 3 Konkurrentët interpretuan baladën “Shallow” me zërat e tyre që plotësonin më së miri njëri-tjetrin. Nga Kjo Betejë fitues doli Kejvi.

Trajnerja Arilena Ara në mbrëmjen e parë të Betejave vendosi të sfidojë disi artistët e skuadrës së saj me përzgjedhjen e këngëve. Të parët të cilët dolën në skenë ishin Irisi, Petro dhe Vesa, 3 zëra të fuqishëm të cilët arritën t’i mahnisnin të gjithë me interpresimin e këngës “Bella Ciao”. Nga kjo Betejë, Arilena përzgjodhi Petron për të çuar në Netët Live. Earta, Dea dhe Arjola ishin 3 konkurrentet të cilat sipas Arilenës ishin zërat më të fuqishëm në skuadrën e saj jo më kot ky grup quhet “ulërima”. Vajzat u përballën me njëra-tjetrën në Beteja me këngën “Spectrum” dhe në fund ishte Earta ajo e cila arriti të kalonte me sukses këtë fazë.

Betejat sapo kanë filluar dhe sfidat janë të mëdha por të bukura. Spektakli i talenteve rikthehet sërish të premten e ardhshme në Top Channel.