Denis arrite në Finale, si ndihesh?

Jam shumë i lumtur që arrita në Finale, sepse nuk e prisja. Nuk e prisja për faktin se duke jetuar jashtë nuk kam të afërm, mbështetës që do të mund të votonin, sa fëmijët e tjerë konkurrentë. Por megjithatë njerëzit më votuan dhe unë jam në Finale. (qesh)

Të ka trembur kjo gjë?

Po, më ka trembur, aq sa isha bindur që nuk do të shkoja shumë përpara, madje mendoja se do të eliminohem pasi nuk kam këtu shokët e shkollës, familjen apo një qytet që ndihet i përfaqësuar nga unë që të më votojë.

Nëse ti do të ishe trajner dhe do të bëje një skuadër tënden, cilin nga konkurrentët do të doje të kishe në skuadër?

Anën, Stinën, Arseldin…, jo nuk zgjedh dot. Ka shumë, do të bëja një skuadër me të gjithë. Një bandë të madhe muzikore (qesh).  Janë të gjithë shumë të zotë, plot talent. Meritojnë të gjithë të fitojnë, por rregullat e këtij spektakli janë të tilla që duhet një fitimtar.

Pse zgjodhe Miriamin si trajnere?

Zgjodha Miriamin, sepse më pëlqen si figurë artistike. Mendova se ajo ishte e duhura për mua, për të më dhënë mësimet e para për të ndjekur një karrierrë televizive të cilën unë e adhuroj.  Dhe kam bërë zgjedhjen e duhur, pasi kam mësuar shumë këta muaj. Si nëpërmjet mësimeve të këngës ashtu dhe nëpërmjet këshillave të saj. Jam shumë i bindur se Miriam ishte zgjedhja e duhur, megjithëse kam respekt dhe i dua të gjithë trajnerët.  Edhe po të kthehesha pas në kohë do bëja sërish të njëjtën zgjedhje, Miriam, Miriam Miriam!

Ka patur ndonjë konkurrent që është eliminuar, por ti mendon se meritonte të shkonte edhe më tej?

Po, ka patur disa. Anjeza nga Skuadra Gjoka, Aulona dhe Alisia nga skuadra jonë, Ëmbla përsëri nga skuadra Gjoka. Por problemi është se në të njëjtën skuadër ka disa që janë shumë të mirë dhe dikush duhet të largohet. Vetëm për këtë arsye, jo sepse fëmijët nuk janë mjaftueshëm të talentuar për të vazhduar garën.

Sa mendon se ‘The Voice’ po të ndihmon për të plotësuar ëndrrën tënde për të qenë një show-man i ardhshëm?

Shumë, vërtet shumë. Unë në skenë ndihem si në shtëpi. Aty jam i lumtur. Të këndoj është pasioni im më i madh dhe të dyja këto gjëra u bashkuan në ‘The Voice’. Nuk mund të kërkoja për më tepër.  Kam bërë shokë, kam gjetur mësues profesionistë dhe të dedikuar. Jo vetëm Miriami, por dhe Kamela, të cilën e dua shumë. Ajo na ka mësuar shumë dhe është kaq e dashur me ne të gjithë.

Nëse nuk do të fitosh Denis….

Unë tashmë kam fituar, kam fituar në momentin që u kthyen karriget. Në momentin që takova kaq shumë njerëz që treguan dashuri ndaj meje dhe besim në talentin tim. Kam fituar më shumë gjëra sesa çdo kupë do të të jepte. Karriget e kuqe u kthyen për mua. Jam i lumtur, ndihem fitimtar, njësoj si të gjithë kolegët e mi që kaluan provën dhe u bënë pjesë e skuadrave të trajnerëve. Na është dhënë një shans i artë dhe e kam shijuar çdo moment.