Audicionet kanë filluar prej mëngjesit të sotëm në Tiranë për spektaklin ‘The Voice Kids’. Qindra fëmijë presin së bashku me prindërit e tyre radhën numerike për të kënduar këngët e zgjedhura dhe të mësuara enkas për audicionin. Duken sikur po mbahen dy audicione paralele, brenda përpara Vocal Coach-ëve dhe jashtë studiove të Top Channel ku shumë nga fëmijët bëjnë provat përballë familjarëve të tyre që i shoqërojnë.

Duket si një festival muzikor gazmor dhe plot emocione. Ngarkesa emocionale ndihet si tek më të vegjëlit ashtu dhe tek ata pak më të rritur. ‘The Voice Kids’ është rasti që shumë fëmijë po prisnin për të gjetur vendin e tyre në një botë që ëndërrojnë.