Si do ta përshkruaje eksperiencën tënde në ‘The Voice Kids’?

Është një nga eksperiencat më të bukura të jetës sime dhe nuk do të ndryshoja asgjë nëse do të kthehesha pas. Në ‘The Voice Kids’ unë kam gjetur miq, mbështetje, mësime muzike dhe ndihem shumë e lumtur që kam arritur deri këtu.

Cilët janë miqtë e tu më të mirë në këtë spektakël?

Është shumë e vështirë të ndaj miqtë e mi më të mirë, por deri në këtë fazë ku kemi arritur kemi kaluar më shumë kohë me disa prej tyre dhe jam afruar shumë me Klean, Denisin, Anën, Ritën, Sindin.. me të gjithë!

Nuk e ke ndier asnjëherë rivalitetin mes jush?

Duke qenë se ky është një konkurrim, edhe rivaliteti ndihet, por miqësia mes nesh është ajo që është më e rëndësishme.

Cila është marrëdhënia jote me trajnerët?

Marrëdhënia me ta është shumë e mirë. Kemi punuar për një kohë të gjatë me ta. Janë mësues shumë të mirë, por marrëdhënia që krijojnë me konkurrentët është shumë miqësore.

Përpara se të dilje në skenë dhe të treja karriget të ktheheshin për ty, e kishe menduar paraprakisht se kë do të zgjidhje apo ishte një vendim i marrë në atë çast?

Që përpara se të konkurroja për të hyrë në ‘The Voice Kids’, pasi ishin publikaur dhe emrat e trajnerëve e kisha vendosur se kë do të zgjidhja në rast se do të arrija deri në atë fazë. Aleksandër dhe Renis Gjoka janë dy artistë që më pëlqejnë shumë dhe i përshtaten stilit tim muzikor. Në momentin që u kthyen të tre dhe kërkonin që të isha pjesë e skuadrës së tyre, u tundova pak, por i qëndrova besnike vendimit që kisha marrë paraprakisht.

Çfarë mendon se do të ndodhë në Finale?

Mendoj se në Finale do të zgjidhet më i miri dhe publiku do të zgjedhë me zgjuarsi. Të gjithë jemi shumë të mirë dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë, por kam besim se do të zgjidhet ai që do ta meritojë me të vërtetë.