Pozitiviteti ka shoqëruar këtë aventurë televizive që në nisje. Arsyet pse aspirojnë fëmijët të bëhen pjesë e këtij formati janë nga më të ndryshmet. Fëmijë të talentuar, me një dhunti që duan ta ndajnë me të tjerët u paraqitën në audicionet e zhvilluara gjatë muajit shtator.

‘The Voice Kids’, përveçse një mundësi për të shfaqur atë çka këta fëmijë dinë të bëjnë më mirë, duket se është rasti që prisnin për t’u bërë protagonistë dhe për të tejkaluar moshën e tyre duke e plotësuar atë me talentin. Angazhimi në diçka që më parë e kanë parë vetëm nga ekrani do të jetë për ta një udhëtim i paharrueshëm.

Do të bëhen pjesë e skuadrave të trajnerëve të gjithë ata fëmijë që do të arrijnë vetëm nëpërmjet armës së tyre më të fortë, zërit, t’i bindin të shtypin butonin. Në audicionet e ‘The Voice Kids’ kanë marrë pjesë fëmijët nga 6-14 vjeç nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Kombinimi i shumë faktorëve që vetëm fëmijët i kanë do ta bëjnë unike garën.