Nisea ishte një prej konkurrenteve që arritën të kalojnë fazën e Audicioneve të Fshehura në natën e tretë të ‘The Voice Kids’. Megjithëse Nisea arriti t’ia dilte të bënte trajnerët të ktheheshin për të, në fillim të klipit të saj prezantues pati momente lotësh.

Historia e familjes së Niseas është historia e shumë prej shqiptarëve. Të emigruar në një vend tjetër dhe të kthyer pas disa kohësh në vendin e lindjes për të vazhduar jetën ashtu siç e ke njohur, nuk është kaq e lehtë sa tingëllon. Për Nisean vendi i saj ishte i panjohur, ishte një mjedis që për të nuk kishte asgjë familjare.

Në një realitet ku u gjend e shkulur nga ajo çka quante “shtëpi”, Nisea e gjeti forcën për të mos rënë në dëshpërim. Këtë forcë ajo e gjeti tek kënga, një nga dashuritë e saj më të mëdha në jetë.