Mbrëmjen e kaluar u mbyll faza e parë e “The Voice Kids”, ajo e Audioneve të Fshehura. Për 6 javë radhazi trajnerët kanë kthyer karriget dhe kanë luftuar për të rrëmbyer në skuadrën e tyre konkurrentët më të mirë.

Emocionet që na dhuruan netët e kësaj fazë kanë gozhduar para televizorit një publik të tërë dhe tashmë skuadrat e trajnerëve, Miriam Cani, Alksandër e Renis Gjoka dhe Arilena Ara, u kompletuan.

Tashmë do të bëhemi gati për një tjetër fazë të rëndësishme, atë të Betejave. Secili trajner ka në skuadër 18 konkurrentë që do të përballen me njëri-tjetrin në një ring të vërtetë.

Do të jenë trajnerët ata të cilët do të vendosin se kush do të përballet me kë. Në “The Voice Kids”, Betejat do të jenë midis 3 artistëve dhe vetëm njëri prej tyre do të përzgjidhet për të shkuar në Netët Live.

Betejat janë një fazë e mbushur me emocione të forta që do të tregojnë edhe më tej talentin e fëmijëve pjesëmarrës në këtë talent-show. Në fund të kësaj fazë do të jenë vetëm 6 konkurrentë nga secila skuadër që do të prekin magjinë e Netëve Live.

Cila do të jetë skuadra më e fortë? Ajo që do të vjedhë më shumë zemrat e publikut? Surprizat nuk kanë mbaruar ende, të premten në mbrëmje në orën 21:00 Shihemi në Beteja.