Pas turit të audicioneve gjatë muajit shtator në qytetet kryesore të Shqipërisë dhe Kosovës, ‘The Voice Kids’ ndalon përsëri aty ku e nisi këtë aventurë.

Ashtu sikurse është shpallur paraprakisht në kanalet informative, është parashikuar një audicion i fundit në Tiranë, në datën 14 Tetor. Pavarësisht numrit të madh të konkurrentëve dhe prurjeve artistike, stafi i ‘The Voice Kids’ do t’u japë mundësinë të gjithë fëmijëve nga të gjitha trevat shqiptare që nuk arritën të paraqiten në audicionet e shtatorit, për t’u bërë pjesë e këtij programi.

Nuk është ende vonë për t’i dhënë vetes mundësinë e të qenit pjesë e spektaklit më të bukur muzikor të vitit. Nëse je nga 6-14 vjeç dhe kënga është pasioni yt më i madh, të mirëpresim në Tiranë, në studiot e Top Channel tek Piramida, në datën 14 Tetor, ora 11:00.

Ju rikujtojmë se fëmijët duhet të jenë të shoqëruar nga prindërit ose një familjar i afërt. Për të bërë të vlefshëm audicionin duhet të keni me vete një dokument identifikimi (si pjesëmarrësit në audicion ashtu edhe shoqëruesi), pasaportë, kartë identiteti, ose çertifikatë si dhe një foto të tre muajve të fundit. Fëmijët duhet të kenë përgatitur së paku dy këngë.