Ti dhe Finalja, ç’marrëdhënie keni?

Nuk mendoja se do të arrija ndonjëherë deri këtu. E kisha pritur deri Natën e Parë Live dhe jo më tej. Jo se mendoj që dikush është më i fortë se tjetri, por thjesht nuk mendoja se do të arrija në Finale.

Pas pjesëmarrjes në ‘The Voice Kids’ shumë njerëz ndoqën profilet tuaja në Instagram dhe u dërgojnë mesazhe urimi. Si të bën të ndihesh kjo gjë?

Jashtëzakonisht mirë. Është një ndjenjë shumë e bukur. Të jep lumturi të shohësh sa shumë njerëz të duan, të mbështesin, vlerësojnë talentin tënd. Dashuria e njerëzve, përkrahja e tyre, të bën që të këndosh edhe më mirë. Kjo është gjëja që më pëlqen nga fama.

Si erdhe në ‘The Voice Kids’?

Jo rastësisht. Ka qenë gjithmonë ëndrra ime të marr pjesë në një konkurs të tillë, madje pikërisht në këtë konkurs. Jam përgatitur shumë më herët për këtë spektakël, sepse e kam ditur që një ditë do të bëhet ‘The Voice Kids 2’ dhe unë doja të isha patjetër pjesë e tij.

Për ty u kthyen të treja karriget dhe në fund zgjodhe Enedën si trajneren tënde. Por nëse nuk do të kishe zgjedhur Enedën, kë do të kishe zgjedhur?

Do të kisha zgjedhur Aleksandrin dhe Renisin. Unë dëgjoj shumë muzikë rock dhe për këtë arsye do të kisha zgjedhur ata. Por për vokalin tim është më e përshtatshme Eneda. Nëse ajo nuk do ta kishte shtypur do të kisha shkuar tek Aleksandri dhe Renisi.

Je përherë në shoqërinë e miqve të tu duke kënduar, biseduar apo kërcyer në mjediset e studiove . Kush do të të mungojë më shumë nga miqtë që ke bërë në ‘The Voice’?

E di që do të më marrë malli shumë për Klean dhe për Denisin. Jemi lidhur shumë gjatë kësaj kohe.