Ditët po ikin me shpejtësi dhe Audicioni i parë i Tiranës për ‘The Voice Kids 3’ po afron. Të gjithë po e presim me padurim dhe me kënaqësi startin e kësaj aventure të bukur. Edhe shumë pak na ndan nga data 8 Qershor, e cila shënon dhe fillimin e audicioneve që do të zhvillohen për këtë sezon, të cilat do të vijojnë më pas në qytetet kryesore të Shqipërisë dhe në Prishtinë.

Por përpara se të paraqiteni në audicione, duam t’ju kujtojmë se për të marrë pjesë në audicionet e ‘The Voice Kids’ duhet të jeni të shoqëruar nga prindërit ose një person i afërm në moshë madhore. Si shoqëruesi ashtu edhe fëmijët duhet të kenë një dokument identifikimi me vete (pasaportë, çertifikatë ose kartë identiteti) si dhe një foto të tre muajve të fundit. Ju këshillojmë të merrni me vete rezerva të mjaftueshme uji dhe mos harroni snack-un tuaj të preferuar. Ndoshta do të keni nevojë edhe për karikuesin e telefonit, por edhe ndonjë lodër, pasi do të jetë një ditë e gjatë.

Fëmijët që do të konkurrojnë duhet të kenë përzgjedhur dhe përgatitur paraprakisht të paktën dy këngë. Ju jeni të lirë të zgjidhni çfarë kënge dëshironi në varësi të shijeve tuaja.

Ju presim ditën e premte, në ambientet e TOP CHANNEL tek Piramida. Mos harroni, sapo të arrini në piramidë, tërhiqni numrin tuaj rendor. Audicionet fillojnë prej orës 11:00. Suksese!