Mes shumë konkurrentëve të vegjël në garën e The Voice Kids, mbrëmjen e sotme ishte edhe një vogëlushe nga Pogradeci, e cila ishte shoqëruar nga e ëma, gjyshja dhe tezja e saj. Kjo e fundit nuk është një personazh i zakonshëm, por shumë i njohur për publikun.

Ish-banorja e Big Brother, Xhensila Pere, kishte ardhur bashkë me familjarët për t’i dhënë kurajë mbesës së vogël, e cila, për t’u përfaqësuar denjësisht, nuk kishte zgjedhur një këngë të thjeshtë dhe as të zakonshme.

Edhe pse e ëma, motra e Xhensilës, nuk kishte besim se për Xhemin do të kthehej ndonjë trajner, në fakt mjaftoi që u kthye pikërisht Eneda. Dhe jo më kot. E gjithë performanca e Xhemit u duk sikur iu dedikua asaj, sepse vogëlushja kishte zgjedhur pikërisht hitin “Me veten” të Enedës.

Megjithëse e pëlqyen edhe trajnerët e tjerë, këtë herë i lanë hapësirë këngëtares së njohur ta kishte të gjithën për vete… E emocionuar, Eneda i tha Xhemit se e këndoi këngën shumë bukur, ndaj është shumë e lumtur që e ka në skuadrën e saj.

Sapo mbylli konkurrimin dhe mori vlerësimin nga juria, Xhemi u drejtua me vrap në prapaskenë, ku takoi të parën tezen.

Xhensila, një teze e lumtur dhe krenare, e ka ndarë emocionin e këtij momenti edhe me miqtë e saj virtualë.