“The Voice Kids” është pritur me shumë entuziazëm në Korçë, në Bibliotekën e fëmijëve. Rrugëtimi i produksionit në kërkim të artistëve të vegjël ishte lajmëruar që më herët, duke sjellë një numër të madh fëmijësh për të shfaqur talentin e tyre.

Ata e shohin këtë konkurrim si mundësinë e madhe për realizimin e ëndrrës së tyre.

“Kam ardhur të konkurroj në ‘The Voice Kids’, sepse unë e adhuroj shumë muzikën dhe kjo është ëndrra ime më e madhe. Kam emocione pa fund, por do të përpiqem të bëj më të mirën time”, tha një konkurrente.

“‘The Voice’ më ka pëlqyer gjithmonë me ato karriget që rrotullohen, e i thashë mamit që dua të shkoj dhe ajo ma plotësoi dëshirën. Jam pak fare e emocionuar, por më duket sikur po më plotësohet ëndrra”, tha një tjetër konkurrente.

Shumica prej fëmijëve bart edhe traditën familjarë të muzikës, që Korça e ka traditë të vetën.

“Kam dhe familjen që merret me muzikë. Gjyshi im ishte themeluesi i korit ‘Lira’ dhe kështu po vazhdoj traditën e familjes”, tha një konkurrent.

“Talent Shoë” më i rëndësishëm i sezonit, edhe në Korçë njohu konkurrentë të denjë për këtë spektakël. Edhe këtu, juria përzgjedhëse ka hasur një numër të konsiderueshëm talentesh, që do t’i bashkohen rrugës së gjatë në “The Voice Kids”.

“Më pëlqen të këndoj dhe thashë të shkoj ta provoj. Jam edhe pak e emocionuar në fakt. Ka disa lloj këngësh që më pëlqen të këndoj, ndërsa këngëtarja ime e preferuar është Vaçe Zela”, tha një konkurrente.

“Shkoi shumë mirë, nuk kisha fare emocione”, u shpreh një tjetër konkurrente.

Pas njohjes me talentet në muzikë dhe interpretim të Korçës, “The Voice Kids” do të jetë në Shkodër, më 22 shtator, te Qendra Kulturore e Fëmijëve, për audicionin e radhës.

/ Top Channel