Netët Live të ‘The Voice Kids’ përveç emocioneve që ofrojnë nëpërmjet artistëve të vegjël, kanë përcjellë emocione në skenë edhe nëpërmjet artistëve të mirënjohur në fushën e muzikës. Cili do të jetë personazhi, që do të ngjitet në skenën e ‘The Voice Kids’ këtë të premte? Ai nuk vjen për herë të parë në ‘The Voice’. Yll Limani është një këngëtar dhe tekstshkrues nga Prishtina, i cili arriti të bëhej i famshëm për publikun pikërisht pas paraqitjes së tij në edicionin e parë të ‘The Voice of Albania’.

Në Maj të vitit 2012, Ylli Limani merr pjesë në ‘Top Fest 9’ me këngën ‘Shko’, muzika dhe teksti i të cilës ishin krijim i tij. Në 2012-ën ai gjithashtu publikoi videoklipin ‘Lart mbi yje’, si edhe këngën ‘Mos më harro’. Në vitin 2013, publikon videoklipin ‘A e din ti’, për të vazhduar me videoklipin ‘I thash asaj’ në vitin 2015. Në Dhjetor 2016, Yll Limani merr pjesë në Festivalin e 55-të në RTSH me këngën ‘Shiu’.

Kënga e fundit e tij doli më 14 Nëntor 2017, me emrin ‘Dritat’, këngë me të cilën ka më shumë se 20 javë që është pjesë e klasifikimit me bashkëpunimin e tij me 2po2, Ylli është ngjitur nga java në javë, në majë të top listës së ‘Top Awards’ derisa arriti të zërë kreun e saj.