Pjesëmarrja e saj në “The Voice Kids” ishte e mbushur me emocione, mësime dhe aventura, më e rëndësishmja e të cilave ishte kurorëzimi i saj si fituesja e ediciont të tretë të spektaklit.

Altea, artistja e skuadrës së Aleksandër dhe Renis Gjokës nuk e kishte menduar se mund të arrinte deri këtu. Për të na rrëfyer më shumë mbi këtë eksperiencë, ajo ka dhënë një intervistë ekskluzive për “The Voice Kids”!

TVK: Si do ta përshkruaje rrugëtimin tënd nga Audicionet e Fshehura deri në natën Finale?

Altea: Rrugëtimi nga Audicionet e Fshehura deri në natën Finale ishte padyshim i magjishëm për mua. Ishin katër muaj prova, sfida dhe performanca që çdo ditë bëheshin sa të vështira aq edhe të bukura.

TVK: Çfarë ke mësuar nga puna me trajnerët Aleksandër dhe Renis si dhe Vocal Coach, Kejsin?

Altea: Duke punuar me tre profesionistë të mëdhenj të muzikës, gjithmonë na e bënin të qartë se çfarë kërkonin prej nesh. Mësimet dhe këshillat e tyre për mënyrën e të kënduarit dhe të zotërimit të skenës më kanë përmirësuar në të gjitha drejtimet.

TVK: Si u ndjeve kur Dojna thërriti emrin tënd si fituesen e edicionit të tretë të “The Voice Kids”?

Altea: Nuk di si ta përshkruaj me shumë fjalë. Di të them që bërtita fort nga kënaqësia. U ndjeva e vlerësuar dhe shumë e lumtur!

TVK: A e kishe menduar se do ta fitoje këtë spektakël?

Altea: Fitorja nuk ka qenë qëllim në vetëvete për mua. Të gjithë e dëshironim por më e rëndësishme për mua ishte të jepja më të mirën time në çdo dalje në skenë.

TVK: Cili ishte mendimi i parë që të erdhi ndërmend kur ngrite kupën e “The Voice Kids”?

Altea: Në atë moment mu duk sikur isha në një ëndërr nga e cila nuk do doja të zgjohesha asnjëherë.

TVK: Cili ka qenë momenti më i veçantë nga kjo eksperiencë që gjithmonë do të mbetet në kujtesën tënde?

Altea: Momenti më i veçantë do të ngelet takimi i parë me trajnerët e mi dhe përqafimi i ne të gjithëve me kupën në dorë. E kam ende këtë imazh në mendjen time.

TVK: Cila fazë ka qenë më emocionuese për ty? Pse?

Altea: Nata e parë Live më ka dhënë shumë emocione të mira sepse të këndoja këngën “I Want To Break Free” nga Queen që është grupi im i preferuar, ishte kënaqësi pa fund!

TVK: Çfarë këshille do tu jepje të gjithë moshatarëve të tu që e kanë pasion këndimin?

Altea: Këshilla për të gjithë moshatarët e mi është që kudo dhe kurdo që ju jepet rasti, mos kini frikë të shfaqni talentin tuaj. Asnjëherë nuk do të jeni të humbur.