Ana mrekulloi trajnerët në natën e katërt të ‘The Voice Kids’ me interpretimin e saj në skenë. Të gjithë trajnerët shtypën butonat për të kthyer karriget e tyre dhe nisur kështu ‘betejën’ për të bërë Anën pjesë së skuadrave të tyre.

Trajnerja Miriam Cani, e mahnitur nga zëri dhe veçanërisht mënyra sesi Ana i jepte karaktere të ndryshme interpretimit të saj, duke e bërë dhe të dyshojë nëse ishin dy apo një konkurrent, shtypi butonin në çastin e fundit. Sigurisht jo sepse nuk ishte e bindur, por zëri i Anës e rrëmbeu trajneren aq shumë sa desh harroi të kthente karrigen. Ajo e cilësoi zërin e Anës si të parezistueshëm.

Miriami ishte e përzgjedhura e saj për të vazhduar rrugën në ‘The Voice Kids’. Ana vjen nga të tjera eksperienca në festivale të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare dhe është e vendosur për të rrëmbyer kupën dhe në këtë garë talentesh. Etapa e rradhës që e pret Anën janë ‘Betejat’.