Ana ti je në Finale, ke shumë video në YouTube. Je e famshme tani. Si ndihesh?

Shumë shumë mirë dhe them se kjo është një arritje e madhe. Kam arritur në Finalen e ‘The Voice Kids’ dhe kjo më bën shumë të lumtur.

Çfarë ndien kur ngjitesh në skenë?

Ndiej shumë emocione edhe pak frikë. Kam pak frikë nga publiku, ngaqë janë shumë njerëz.

Ti ke marrë pjesë në shumë evenimente muzikore. Çfarë ka ‘The Voice Kids’ ndryshe?

Këtu jam bërë më e famshme dhe gjëja që më pëlqen më shumë se jam bërë më profesioniste. Kam shumë shokë e shoqe. Shokët e mi më të mirë këtu janë Sindi, Frensi edhe Denisi. Por ata më trajtojnë si të vogël, meqë jam edhe më e vogla.

A të shohin si një konkurrente të fortë?

Më shohin si më të vogël. Por do t’u tregoj që unë jam e fortë!

Të pëlqen të jesh pjesë e Skuadrës së Miriamit?

Po, shumë! Miriami është shumë e ëmbël. Më trajton si më të voglën edhe si beb. Unë jam pak mistrece se s’më rrinë këmbët. Kam shumë energji dhe do ta shpërthej në skenë.

Çfarë mund të thuash për trajnerët e tjerë?

I dua të gjithë. Por prapë Miriamin e kam në vend të parë, sepse e kam shumë xhan. Kam një marrëdhënie të mirë edhe me Kamelën. Ajo është Vocal Coach-i më e mirë nga të gjithë. Kujdeset shumë për ne. Do të më mungojë çdo gjë kur të mbarojë, edhe fasulet e menzës (qesh).

Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?

Këngëtare, vetëm këngëtare. Dhe kur të shoh videot tek ‘The Voice’ do të them: Sa keq që kam kënduar! Se do të jem bërë më profesioniste atëherë.  Mendoj se do të kem shumë sukses.

Sa kohë i kushton studimit?

Shumë kohë. Studioj muzikën, në prova, por edhe kur shkoj në shtëpi. Në YouTube shoh performancën time, por edhe atë të konkurrentëve të tjerë, se duhet të njoh se me kë kam të bëj.

Nëse do zgjidhje dy nga fëmijët e ‘The Voice’ për të bërë një grup muzikor bashkë, kë do të zgjidhje?

Nëse do të formoja një grup pop do të zgjidhja Sindin dhe Denisin, se Frensi e ka zërin e ngjirur dhe bën më shumë për rock. Po të kisha grup rock do të zgjidhja Frensin dhe Sarën. Emrin e grupit pop do ta vendosja ‘Miriam Cani’, kurse për rock do t’ia vendosja ‘Rock Star Band’.

Ka ndonjë gjë që nuk ke bërë ende në ‘The Voice’, por që do të pëlqente ta bëje?

Do të doja shumë që në ‘The Voice’ të bëja një prezantim, të prezantoja. Por Ledinoni s’të lë, se e do vendin e prezantuesit për vete.