Festat e gjejnë ‘The Voice Kids’ duke punuar për të sjellë nga 19 Janari spektaklin më emocionues të sezonit. Nuk ka mënyrë më të mirë për të festuar, sesa të bësh atë që dashuron. Kjo ndodh me vocal coach-ët Kamela Islamaj, Gent Myftaraj dhe Kejsi Tola, të cilët përgatisin çdo ditë me dedikim dhe shumë dashuri fëmijët.
Po aq solarë, energjikë dhe plot emocion gjejmë trajnerët Miriam Cani, Eneda Tarifa dhe Aleksandër e Renis Gjoka. Ata kanë nisur të krijojnë skuadrat e tyre nëpërmjet Audicioneve të Fshehura. Ndihen pozitivë dhe duket se po shijojnë në maksimum këtë aventurë që kanë ndërmarrë. Megjithëse me një axhendë të ngjeshur provash dhe xhirimesh, askush nuk u përtua të bëhej pjesë e një urimi të veçantë, duke ndalur një çast punën për t’u drejtuar nga ata që janë mbështetja më e madhe, publiku, i cili ndjek nëpërmjet rrjeteve sociale dhe faqes web çdo fazë të ‘The Voice Kids’.
Çdo gjë duket si një magji festash në ambjentet Top Channel. Prezantuesi dhe njëkohësisht producenti ekzekutiv i ‘The Voice Kids’, Ledion Liço rrëfen se energjia pozitive në ajër është aq e vërtetë dhe e fuqishme sa do të mund të ndihet dhe shijohet nga publiku, i cili do të jetë dëshmitar i shumë surprizave të këndshme në këtë edicion.
Në pritje të 19 Janarit ‘The Voice Kids’ ju uron të gjithëve Festat nëpërmjet linkut të videos që vijon https://youtu.be/SdeCh8W0P3k