U mbyllën Audicionet e Fshehura, të cilat për 6 javë radhazi kanë gozhduar publikun përpara ekranit të televizorit. Në natën finale skuadrat e trajnerëve Eneda Tarifa, Miriam Cani, Aleksandër dhe Renis Gjoka u kompletuan.
Secili nga trajnerët ka në skuadrën e tij 18 talente që do të vijojnë garën në fazën tjetër, në Beteja. Në skenën e ‘The Voice Kids’ përgjatë javëve janë ngjitur fëmijë super të talentuar, që jo pak herë kanë lënë pa fjalë trajnerët me interpretimin e tyre, të denjë për një skenë të madhe. Shpeshherë Audicionet e Fshehura kanë qenë një “ring” beteje midis trajnerëve për të marrë zërat më të mirë, të cilët gjithashtu janë ndodhur në vështirësi para zgjedhjeve dhe vendimeve që duhet të merrnin.
Të premten e ardhshme nis një tjetër etapë, aty ku ringu do të jetë real. Fëmijët do të shkojnë në ‘Beteja’ dhe emocionet do të shumëfishohen.