Aleksandër dhe Renis Gjoka shprehen për ndjesitë, sfidat, përgjegjësitë dhe mënyrën si e shohin aventurën të cilën i pret, ‘The Voice Kids’.

Si ndiheni në rolin e trajnerëve në ‘The Voice Kids’? Cilat ishin mendimet e para që ju erdhën në mend në momentin që erdhi ky propozim?

Aleksandri: Lidhur me propozimin për të qenë pjesë e trajnerëve në ‘The Voice Kids’ më informoi nipi im, Renisi, fillimisht. Hezitova dhe isha i pavendosur duke konsideruar moshën e konkurrentëve. Duke qenë vetë prind dhe gjysh e di mirë sesa të ndjeshëm janë fëmijët dhe kjo gjë më bëri të mendohesha përpara se të pranoja.

Renisi: Në momentin që m’u propozua të isha një nga trajnerët, së bashku me xhaxhanë tim, Sandrin, sigurisht që isha i lumtur pasi e njihja si format këtë spektakël. E megjithatë jam informuar dhe i kam bërë pyetje pafund stafit të ‘The Voice Kids’ për të kuptuar më mirë specifikën e këtij edicioni për të mos gabuar në zgjedhje, duke qenë se është pjesmarrja ime e parë në një show të tillë. Propozimin e mora me shumë pozitivitet dhe vazhdoj të mendoj se ka për të qenë një aventurë shumë e bukur.

Ju kemi parë shpesh në skenë duke kënduar së bashku si një dyshe që funksionon shumë mirë. Këtë herë do të uleni në dy karrige por që vlejnë një! Të jeni bashkë në këtë aventurë, mendoni se do jua vështirësojë apo lehtësojë punën?

Aleksandri: Ne kemi kënduar dhe do të vazhdojmë të kemi duete së bashku. Kemi një përqasje muzikore, pëlqejmë dhe luajmë të njëjtën muzikë. Megjithatë, mendimet tona jo gjithmonë janë të njëjta, nuk kanë sesi të jenë të njëjta. Kemi shpesh mendime të përafërta, por jo të njëjta për çdo gjë që lidhet me muzikën. Kjo do të jetë sfida jonë, të arrijmë të vlerësojmë si një i vetëm duke qenë dy. Por e shoh si diçka pozitive faktin që do jemi të dy.

Renisi: Ajo që ka në fund rëndësi është se dhe pse do të kemi mendime të ndryshme, për të shtypur ose jo butonin do ta vendosim bashkë. Do të jetë një vendim që do ta marrim duke patur parasysh mendimet e të dyve. Kjo nuk do të jetë diçka interesante vetëm për ne, por besoj dhe për publikun.

Përqasja juaj artistike, rryma e muzikës që ju këndoni, mendoni se është një armë më shumë apo një minus në këtë garë? Çfarë do të donit të arrinit në këtë punë me fëmijët? Kultivimin e shijeve të tyre muzikore, duke patur parasysh muzikën e pastër dhe pa kompromise që keni bërë gjithonë apo perfeksionimin artistik në cilëndo rrymë që ata gjejnë veten?

Aleksandri: Muzika qe në bëjmë, që kemi bërë gjithmonë është një muzikë rock, por kjo nuk do të thotë që nuk i njohim apo i pëlqejmë zhanret e tjera të muzikës. Gjithashtu, mendoj se asgjë nuk mund të bëhet me inponim. Ajo çka unë mendoj është se gjëja më e rëndësishme është të punosh fort, të jesh i bindur në atë që do dhe një ditë do ta arrish. Vasco Rossi në ‘81-shin, ka marrë pjesë në Sanremo me këngën “Voglio una vita spericolatta”, me të cilën arriti në vendin e parafundit. Por të gjithë e dimë kush është Vasco Rossi sot. E njëjta gjë me fëmijët, synimi im është që të kuptojnë që aty do të japin maksimumin, por që muzika ka rrugë të gjatë para dhe do ta gjejnë çastin për të shkëlqyer gjithmonë. Çdo spektakël vlen për të nisur ëndrrën.

Qëllimi kryesor është zgjedhja e më të mirëve, më të talentuarve. Çfarë është talenti për ju dhe a përkojnë idetë tuaja zakonisht? Mendoni se do të ketë një përplasje brezash në zgjedhjen apo punën me konkurrentët?

Renisi: Talenti është shumëdimensional. Në rastin tonë me formulën e spektaklit, ne jemi të kthyer me shpinë nga skena dhe nuk e shohim konkurrentin, vetëm dëgjojmë zërin e tij. Kështu që fillimisht gjëja që do të vlerësojmë është zëri. Në fazat në vijim do të ketë rëndësi edhe performanca sigurisht edhe karizma dhe karakteri skenik.  Zëri i mirë, mbushet gjithmonë nga elementë të tjerë që formojnë artistin në tërësi.

Aleksandri: Jo nuk ka për të patur përplasje brezash, pasi unë dhe Renisi në kontekstin e muzikës jemi një mendim, një rrymë pavarësisht brezit që secili përfaqëson. Muzika i tejkalon kohët dhe shpesh bashkon brezat.

Jeni shfaqur përherë në skenë, duke qenë protagonistë dhe këtë herë do të jeni përballë saj duke trajnuar protagonistët e rinj. Do të bëheni mentorët e tyre duke i udhëhequr ata drejt suksesit. A mendoni se karrigia dyshe është dyfish përgjegjësi?

Renisi: Karrigia jonë është dyshe, ndaj dhe mendimet do të jenë më të filtruara. Mendoj se kemi një avantazh ndaj Enedës dhe Miriamit, pasi ne kemi dyfish mendime, dyfish gjykim. Do të jemi besoj më të saktë në gjykim.

Aleksandri: Sigurisht që bashkë me sigurinë e të dhënit një mendim që është i konsultuar më parë me dikë tjetër, me Renisin në këtë rast do të vijë dhe përgjegjësia. Po përgjegjësia është e njëjtë për të gjithë trajnerët, jo vetëm për ne. Është një rol që mbart në vetvete shumë përgjegjësi, pasi duhet të jesh i mprehtë në gjykim, i drejtë dhe sigurisht shumë i kujdeshëm.