Kamela Islamaj

Vocal Coach

Kamela Islamaj është një këngëtare e njohur për performancat ‘Live’ si një nga këngëtaret soliste më të suksesshme, në programet e Top Channel. Kamela e ka nisur rrugëtimin e saj televiziv pas pjesëmarrjes në një talent show, por rruga e saj me muzikën ka filluar shumë më herët. Ka nisur studimet për piano që në moshën 5-vjeçare dhe paralelisht ka marrë pjesë në eventet muzikore të qytetit të saj. Sot, ajo mahnit me fuqinë dhe veçantinë e zërit duke përcjell energjinë që e karakterizon dhe në shtëpitë tona nëpërmjet ekranit të televizionit. Pjesëmarrjet e saj në festivale të ndryshme dhe mjaft të rëndësishme në vend, e bëjnë Kamelën një ndër këngëtaret më profesioniste të kohës. Festivali i 50-të i Këngës në RTSH, Top Fest 10, në vitin 2013, Festivali i Jazz-it në Shkodër, si dhe në Festivali i Jazz-it në Tiranë janë disa nga garat ku ajo ka shkëlqyer dhe nuk është larguar pa rrëmbyer çmime të rëndësishme. Një muzikante brilante dhe e talentuar e cila i është përkushtuar plotësisht muzikës, duke mos bërë asnjëherë kompromise komerciale.

Duke qenë një nga zërat më të veçantë në Shqipëri dhe me një edukim muzikor të të gjithanshëm, Kamela jep mësim në një nga akademitë private të njohura në vend. Ajo është një nga zbulueset e talenteve dhe Vocal Coach në ‘The Voice of Albania’, ku ndër vite ka treguar se prania e saj në këtë program është një element i vyer. Puna e saj e përkushtuar është shpërblyer çdo vit, duke shoqëruar drejt finales konkurrentët dhe duke triumfuar me njërin prej tyre.