Miriam Cani

Trajnere

Skena është shtëpia e saj e dytë dhe Miriam Cani është sprovuar me të që në moshë të vogël kur nisi kurset e para të këndimit, kërcimit dhe pianos. E angazhuar në shfaqje teatrale dhe aktivitete të ndryshme muzikore, ajo hodhi hapat e parë drejt një rrugëtimi që një ditë do t’i dhuronte adhurues të panumërt.

Karriera e mirefilltë e Miriam Canit nis në Gjermani, në vitin 2003, kur zgjidhet si pjesëtare e grupit të muzikës pop “Preluders”. Grupi arriti sukses të menjëhershëm me cover-in e tyre të parë “Losing my religion”. Albumi i parë “Girls in the house” renditet në vendin e dytë, menjëherë pas Robbie Williams në listën e albumeve më të shitura në Gjermani. Ky sukses do të pasohej nga çmime prestigjoze. “Preluders” mbajnë mbi supe 9 videoklipe, 2 albume dhe disa turne europiane, duke i siguruar kështu Miriam Canit vëmendjen dhe famën e publikut ndërkombëtar.

Pas kësaj eksperience të frytshme disa vjeçare, në vitin 2006 Cani i bashkohet shfaqjes muzikore “Chicago” ku luan rolin kryesor, e njëkohësisht bëhet pjesë e televizioneve gjermane duke shfaqur aftësitë e saj si prezantuse të disa programeve si “Chart Show” e “New Talent Show”.

Për publikun shqiptar, Miriam Cani u bë e njohur masivisht me këngën “Let me die with you”, dueti i parë me Alban Skënderaj, partnerin e saj tashmë prej një dekade. Duke pasuar me suksesin e këngës së parë solo “Mos më ndal”, e që nga ajo kohë Cani nuk është ndalur kurrë. Karriera e saj vazhdon të konsolidohet si në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj. Që nga Qershori i vitit 2011 është anëtare e shfaqjes muzikore “Hair” në Operën e Bonit.

Në të njëjtin vit, ajo bëhet pjesë e “The Voice of Albania” ku e shohim në rolin e trajneres në dy sezonet e parë të programit.

E ëmbël, e drejtëpërdrejtë dhe me këmbë në tokë, Miriami ka qenë gjithnjë afër publikut. Publikut që e ndjek në çdo koncert e që pret me padurim  këngët apo videoklipet e saj. Ajo është gati të kthehet sërish në karrigen e kuqe, për të ndarë përvojën e saj me talentet e reja e për t’u emocionuar bashkë me ta.