Ajo është e para këngëtare shqiptare që nga fituese e një talent show si “X Factor Albania”, ulet në poltronin e jurisë në një tjetër kompeticion talentesh siç është “The Voice Kids” në Top Channel. Arilena Ara është këngëtarja që e duan të gjithë! Me mijëra ndjekës në rrjetet sociale, me potencial publik dhe një imazh në standardet e duhuara artistike dhe profesionale, ajo do të jetë një nga anëtaret e jurisë së këtij edicioni të “The Voice Kids”.

Pas largimit të Eneda Tarifës, e cila për shkak të angazhimeve të tjera profesionale këtë periudhë, e ka të pamundur që të jetë edhe në rolin e anëtares së jurisë, një tjetër emër i rëndësishëm i muzikës shqiptare si Arilena Ara do të jetë aty prezente përgjatë netëve të spektaklit për të gjykuar talentin e fëmijëve në muzikë.

Në fakt, Arilena është kërkuar edhe vitin e kaluar për të qenë pjesë e “The Voice Kids”, por angazhimet e shumta profesionale, me koncerte në vende të ndryshme të botës dhe me një axhendë të ngjeshur, ishin arsyet që e mbajtën atë larg skenës së këtij talent show. Këtë vit është ndryshe!

Sipas disa burimeve për Class, Arilena ka vendosur që të heqë dorë nga gjithë angazhimet profesionale, përfshirë këtu koncertet që në këtë periudhë fundviti janë të panumërta vetëm e vetëm që të përfshihet në këtë edicion të “The Voice Kids”, për të shpalosur aty të gjithë karakterin dhe potencialin e saj artistik në gjykimin e prurjeve të këtij viti. Kujtojmë që këngëtarja ka pasur të tilla eksperienca të ngjashme në talent show, por vetëm jashtë Shqipërisë. Ka qenë pjesëmarrëse në “The Voice” të Rumanisë dhe “X Factor” të Ukrainës, ndërsa pritet që shtatorin e vitit të ardhshëm të jetë në “The  voice” të Rumanisë sërish.

Mësohet gjithashtu që ditën e djeshme është xhiruar spoti për këtë edicion të “The Voice Kids” në Top Channel dhe bëhet fjalë për diçka shumë speciale dhe të veçantë që i pret të gjithë ardhuruesit e muzikës, si edhe ndjekësit e këtyre talent show-ve!