Fillimisht Dojna Mema ka qenë prezente në “The Voice of Albania 6” si opinioniste ndërsa në edicionin e dytë të formatit për talentet e vegjël ishte në rolin e “V-Room Reporter”. Këtë edicion emocionet janë më të mëdha pasi Dojna ka marrë përsipër rolin e moderimit të këtij spektakli të shumëpritur!
Në një intervistë ekskluzive për “The Voice Kids”, ajo na ka rrëfyer se si po e pret këtë rrugëtim të ri dhe sesa shumë është afeksionuar me fëmijët gjatë provave!
Për herë të parë vjen si prezantuese në edicionin e tretë të “The Voice Kids”, si po e pret këtë spektakël?
-‘Me padurim’ është e para përgjigje që më vjen ndërmend. Nga eksperienca e edicionit të kaluar në “Voice Room” kuptova se formatet me fëmijët në qendër, janë ata që mbartin më shumë të papritura, emocion, punë dhe argëtim. Për mua është një sfidë të cilën mezi pres ta përballoj dhe mbi të gjitha ta jetoj 360 gradë çdo fazë të “The Voice Kids 3”.
P.s : Treshi është numri im me fat!
Publiku të njeh si një prezantuese e cila i merr gjërat me sportivitet. A mendon se në “The Voice Kids” do të shfaqet një anë tjetër e jotja më emotive?
-Në ka diçka për të cilën gjendem në vështirësi është të flas për veten, megjithatë ata që më njohin mirë thonë se jam shumë-dimensionale. Nuk e di as unë se çdo të ndodhë sepse më karakterizon sportiviteti dhe natyrshmëria, ndaj nëse do të më vijë për të qarë do qaj, nëse dua të qesh do ta bëj. Madje ime më sa herë më sheh në ekran thotë : “Po mirë, si sheh të gjitha koleget e tua sa të përmbajtura janë kur qeshin? Si lëviz qerpiku! Ti qesh njëlloj sikur po pi një kafe në lagjje!” (qesh). Kjo për të thënë se kamera nuk ka qenë dhe s’do të jetë kurrë pengesë për të qenë UNË ,pa stisje, pa poza dhe pa menduar nëse buzëqeshja ime është “prej princeshe apo gocë lagjeje”. Për të qenë e sinqertë, preferoj këtë të dytën. Kështu që prisni të papriturën!
Sa je afeksionuar me fëmijët deri tani dhe si është marrëdhënia jote me ta?
-Kur më thanë fillimisht numrin e saktë të fëmijëve pjesëmarrës, thashë me vete : ‘Nuk kam për t’i mbajtur mend kurrë’. Nuk ndodhi kështu! Fillova t’i ndjek në prova dhe kuptova se secili prej tyre është aq i veçantë sa është e pamundur ta ngatërrosh me tjetrin. Unë afeksionohem shpejt nëse pëlqej dikë, por në këtë rast nuk do të ndodhë sepse dua të shohin tek unë barazi, maturi dhe në të njëjtën kohë një shoqe. Flasim, më pyesin për gjëra që ne të rriturve as nuk na shkojnë ndërmend, aq sa ndonjëherë kërkoj ndihmë nga pjesa tjetër e stafit për të formuluar një përgjigjje të vetme. Kjo në fakt është një tjetër pjesë e bukur e të punuarit me fëmijët. Mësoj nga ata më shumë se c’mësojnë ata nga mua.