Pas shumë muajsh, ‘The Voice Kids’ po arrin në finish. Çfarë ka qenë ‘The Voice Kids’?
‘The Voice’ ishte një eksperiencë fantastike. Nga ato që vijnë rrallë në jetën e një artisti. Është një format i mrekullueshëm dhe jam shumë e lumtur që kam qenë pjesë e tij.
Nëse do të ktheheshe pas, do të ndryshoje ndonjë vendim të marrë?
Ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe jo gjithçka e kam bërë ashtu si duhej, por rrugës kam mësuar shumë gjëra. Ndoshta do të ndryshoja një nga treshet e formuara në Beteja për të mos humbur një nga zërat më të fortë. Por në fund të gjithë ishin super të talentuar dhe ishte e vështirë të evitohej.
Në fillim të këtij spetakli je shprehur e lumtur që do të punoje me trajnerët e tjerë pasi mes jush kishte kimi që në takimin e parë. A rrodhën gjërat mes jush siç i kishe parashikuar?
Ka pasur kimi dhe bashkëpunim, dhe falë kësaj gjithçka ka shkuar shumë mirë. Jam shumë e lumtur që kam patur fatin të punoj me artistë si Aleksandër e Renis Gjoka dhe Miriam Cani. Shpresoj të vazhdojmë të punojmë bashkë ende, pse jo përsëri në ‘The Voice’.
Cilën nga skuadrat ke parë si rivale më të fortë?
Të treja skuadrat për mua janë të forta. Realisht nuk arrij të dalloj një më të fortë se tjetrën. Si skuadra e Miriamit ashtu dhe ajo e Gjokajve janë shumë të forta.
Shpeshherë janë krijuar në skenë situata emotive. Si e ke përjetuar atë moment?
Fazat e Betejave kanë qenë të vështira, pasi të duhet të eliminosh dy dhe të mbash një. Por jam përpjekur të zgjedh me profesionalizëm, pa u ndikuar fare nga ana emocionale dhe dashuria për secilin prej tyre. Mund të them se ia kam dalë me sukses, pasi duke u bazuar në kritere vlerësimi profesionale kam qenë më e qetë dhe e kam kaluar më lehtë anën emotive.
Cili është suksesi yt më i madh në ‘The Voice Kids’?
Suksesi im më i madh në ‘The Voice’ është që po shkoj në finish me dy zëra të mrekullueshëm siç është Rita dhe Klea dhe që kam shijuar çdo moment.