‘Wake Up’ është programi, i cili çdo mëngjes herët zgjon publikun e Top Channel dhe të Top Albania Radios. Sot, e ftuar në emision ishte Eneda Tarifa, trajnerja më e re e spektaklit ‘The Voice Kids’.
Prezantimi i Enedës këtë mëngjes nga Eno Popi si mami me kohë të plotë, tregon se Eneda do të jetë mami me shumë fëmijë së shpejti. Eneda është trajnerja e parë e ftuar në ‘Wake Up’ dhe prezantuesit e këtij emisioni na lënë të kuptojmë se edhe trajnerët e tjerë do të kenë mundësinë të jenë pranë publikut të Wake Up. Ashtu sikur tashmë janë bërë publikë, trajnerët e ‘The Voice Kids’ do të jenë Eneda Tarifa, Miriam Cani dhe Aleksandër dhe Renis Gjoka.
E pyetur sesi ndihet duke kaluar nga emisioni ‘Portokalli’ tek ‘The Voice’, pasi mund të ndihet akoma më mirë duke qenë se ky është një emision muzikor, Eneda shprehet se shtëpi njeriu quan çfarëdo vendi pune ku ai përkushtohet edhe e bën mirë. Impenjimi do të jetë i njëjtë, nuk mund të thuhet se do të ndryshojë, madje mendon se atje impenjimi ishte më i madh dhe këtu do të jetë diçka më e thjeshtë, pasi ka të bëjë me profesionin e saj të parë, por edhe me të dytin, me të qënit nënë.
Komentit të moderatorit se ‘The Voice Kids’, duket se do të jetë një sfidë edhe më e madhe, se të jesh një trajnere e një Voice për të rritur, Eneda i është përgjigjur se zakonisht ndërmerr gjëra me përgjegjësi të mëdha, se asgjë nuk është e lehtë në jetë dhe kjo është një nga sfidat e radhës.
Pyetjes së marrëdhënies së saj me vajzën dhe pjesës nëse Aria është e përgatitur për eksperiencën e saj të re, ajo shprehet se ia ka shpjeguar dhe Aria e ka kuptuar mjaft mirë dhe duket e qetë në lidhje me këtë.
Eneda tregon se telefonatat nuk kanë rreshtur që nga momenti i publikimit për fillimin e audicioneve të reja, në Instagramin e Ledion Liços.
Në këtë pritje të ngrohtë në ‘Wake Up’ të ofruar nga moderatorët Oriela Nebiaj, Eno Popi dhe Isli Islami, Eneda së bashku me ta, improvizojnë audicione të fshehura, ku Eneda do të shtypte ose jo butonin e kuq. Sigurisht, kjo ishte për të bërë sa më argëtues dhe tërheqës emisionin dhe së fundi për t’iu kthyer edhe njëherë rrugëtimit të Enedës që prej daljes së saj të parë, të rëndësishme, në Festivalin e vitit ’97, me këngën ‘Yjet e Shpresës’ e deri në aktivitetet e saj aktuale si këngëtare.
Eneda shprehet se nuk është ndjerë kurrë e larguar nga Top Channel dhe është e lumtur që nuk ka pasur ndonjë projekt tjetër dhe si rrjedhojë tani do të jetë pjesë e ‘The Voice Kids’.
Më poshtë mund të ndiqni intervistën e plotë: