Në një intervistë ekskluzive për ‘The Voice Kids’, Eneda Tarifa rrëfen strategjinë që do të përdorë në këtë spektakël.
Është hera e parë e juaja në cilësinë e trajneres në një spektakël muzikor. Duke patur një karrierë të pasur dhe një eksperiencë shumëvjeçare në skenë, mendoni se do të jetë më e lehtë për ju të gjykoni?
Është e vërtetë që është hera e parë që jam në një spektakël të tillë, për të gjykuar mbi muzikën. Po, besoj që në sajë të eksperiencës dhe profesionit që ushtroj prej kaq vitesh, do të jem e favorizuar dhe do të jem objektive në gjykim. Të kesh punuar me muzikën për një kohë të gjatë, nuk ka sesi mos të jetë një armë e fortë.
Top Channel ka qenë shtëpia juaj për shumë kohë ku keni kaluar një pjesë të mirë të karrierës tuaj artistike. E shihni këtë rikthim në televizion ndoshta si një mundësi për të dhënë diçka që nuk kishit mundur më parë?
Top Channel është shtëpia ime prej shtatë vitesh tashmë, është e vërtetë që kam dhënë shumë dhe më ka dhënë shumë. Unë në Top Channel kam krijuar një tjetër identitet artistik, në një nivel që nuk e kisha krijuar më parë ndaj dhe kjo media do të jetë përherë një shtëpi e dytë për mua. Këtë herë nuk vij më si prezantuese. Në këtë pjesë kam shumë të reja për të treguar, për të thënë dhe për të dhënë. Është një profesion që nuk kam rreshtur kurrë së ushtruari, por në këtë spektakël do të kem mundësinë të tregoj dhe një anë tjetër të artit të muzikës, që nuk mbetet vetëm tek interpretimi.
Cili do të jetë fokusi juaj kryesor dhe strategjia që do të përdorni për të ndërtuar skuadrën?
Fokusi im kryesor në këtë talent show do të jetë të zbuloj potencialin e fëmijëve dhe të ushqej këtë potencial që të shpërthejë sa më mirë. Spektakli është një festë e madhe, është një mundësi e bukur për të gjithë fëmijët, por si çdo konkurs do të ketë fitues. Dhe synimi im është që të gjithë fëmijët që do t’i bashkohen skuadrës sime dhe jo vetëm një, të jenë fitues. Ajo që dua të arrij është që të rriten artistikisht, të prekin ëndrrën e tyre, duke kënduar si profesionistë të vërtetë. Do të jem e gatshme t’u mësoj gjithçka di nga vetja. Do të jetë si një ‘master class’ nga Eneda.
Cili mendoni se është avantazhi juaj si trajnere e këtij edicioni të ‘The Voice Kids’ në krahasim me trajnerët e tjerë?
Të gjithë kolegët e mi, pjesë e jurisë së ‘The Voice Kids’ janë figura shumë të njohura të muzikës, të talentuar dhe që kanë eksperiencë me fëmijët, ndonëse jo në punë, por në nivel personal pasi janë prindër. Përveç Renisit, por që atij këtë pjesë ia plotëson Aleksandri. Në këtë aspekt nuk mund të them se më avantazhon pjesa e të qenit prind. Sigurisht, më avantazhon në raport me veten, punën që do të zhvilloj me fëmijët, por jo në raport me kolegët. Atë që unë shoh si pikën time të fortë, është një veti që kam patur gjithmonë. Arrij të spikas një talent që në fazat e para të tij. Deri sot kam qenë në një pozicion shikuesi dhe jam shumë e lumtur që tani kam mundësinë që këtë veti ta përdor për të zbuluar talentet e reja në ‘The Voice Kids’.
Keni patur takime me trajnerët e tjerë këto kohë. Parashikoni se do të ketë më shumë një frymë rivaliteti apo bashkëpunimi mes jush?
Kemi patur disa takime deri tani, takime pune por dhe shoqërore. Përpos frymës shumë të mirë që mbizotëron midis nesh pasi kemi gjetur menjëherë një klimë shumë të bukur, specifika e punës do të na bëjë të rivalizohemi, s’ka si të ndodhë ndryshe. Secili nga ne dëshiron të rrëmbejë në skuadrën e tij zërat më të bukur, për të njerrë kështu fituesin e ardhshëm të ‘The Voice Kids’. Por do të jetë një garë e bukur, pikërisht duke njohur karakteret e ndryshme të kolegëve të mi. Do të ketë një spektakël të sigurtë.