Sërish dyfish talent në ‘The Voice Kids’. Gara në këtë spektakël duket se ka depërtuar edhe brenda familjes. Fëmijë që vijnë në ‘The Voice Kids’ pas vëllezërve dhe motrave që kanë konkurruar në episode të kaluara. Fëmijë që vijnë dhe ngjiten në skenë së bashku, por që performojnë të ndarë.
Eriku dhe Erika janë dyshja më energjike që janë ngjitur deri tani në skenën e ‘The Voice Kids’. Me një spontanitet, plastikë dhe karakter diellor duket se kanë lindur për në skenë. Ata janë shqiptaro-afrikanë dhe shumë të talentuar në disa disiplina. Binjakët simpatikë dhe plot jetë emocionuan publikun me lidhjen e tyre të veçantë përveç zërit të tyre.
Ndërkohë që Erika me interpretimin e saj ia doli të kalonte Audicionet e Fshehura, duke bërë trajneren Miriam Cani të shtypte butonin për të, Eriku nuk mundi të kalonte. Shumë i emocionuar Eriku pas performancës përqafohet me të motrën, e cila pyet nëse mundet ta shoqërojë ai në provat për fazën e ardhshme.