Një tjetër i ftuar, që do të ngjitet në skenën e ‘The Voice Kids’ në Natën e dytë Live është Eugent Bushpepa, një zë i njohur i skenës në Shqipëri, i cili në vitin 2017 ishte gjithashtu asistent trajner i Skuadrës Besa, në sezonin e 6-të, të ‘The Voice of Albania’. Ai do të performojë këngën “Mall”,këngë me të cilën ai do të paraqitet në “Eurovision 2018”.
Eugenti nisi karrierën e tij televizive në ekranin e Top Channel në vitin 2006. Ai pati sukses me këngën e tij të njohur “Maska e Madhështisë, e cila u lëshua në vitin 2007, gjatë TOP FEST 4. Në të njëjtin aktivitet, ai gjithashtu ka marrë pjesë edhe me një bandë rroku të quajtur Sunrise, me këngën e tyre “Engjëll”.
Genti dhe grupi i tij mbështetën Deep Purple gjatë koncertit të tyre në Shqipëri, në vitin 2007. Karriera e tij ndërkombëtare u intensifikua më tej, kur e kërkuan të mbështeste bandën e Duff McKagan në turneun e tyre në Tiranë. Në qytetin e Korçës, Eugent Bushpepa performon së bashku me Ron “Bumblefooot” Thal, kitaristin e Guns N ‘Roses. Ai pati pikun e karrierës së tij ndërkombëtare në vitin 2014, kur Eugenti u bashkua me Darkology Band si vokalist në turne. Grupi mbështeti grupin e rrokut “Overkill” në turneun e tyre nëpër Europë të quajtur “Kill Fest 2014”. Por Eugenti nuk do të ndalet, ai shpallet fituesi i Festivalit të 56-të në RTSH dhe do të jetë zëri që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2018”që do të zhvillohet në datat 8, 10 dhe 12 Maj në Lisbonë të Portugalisë.
Kritikët e muzikës vlerësojnë zërin e tij si shumë të bukur dhe të fuqishëm. Publiku shqiptar e vlerëson Gentin si një ndër artistët më të mirë në vend të muzikës live, të cilët zgjedhin ta dëgjojnë fundjavave teksa performon në baret e kryeqytetit.