“The Voice” mban firmën e “Talpa International Productions” dhe promovon zërat më të mirë të muzikës së lehtë, që duan të lançohen në tregun muzikor. Ky kompeticion bazohet vetëm tek “zëri” i konkurrentit, gjë që e bën të dallojë nga formatet e tjera në botë.
Konkurrenti
Në talent show-et e tjera në botë, konkurrentët ndjehen shpesh të detyruar t’u përshtaten rregullave të produksionit për sa i përket përzgjedhjes muzikore, stilit, look-ut, etj. “The Voice Of Albania” nuk ka për qëllim të prekë aspak integritetin artistik të konkurrentit, përkundrazi, konkurrenti është ai që vendos për të zgjedhur trajnerin e tij, me të cilin do të punojë dhe kushtet e punës, në mirëkuptim të plotë me produksionin. Çdo konkurrent do të perfeksionojë talentin e tij artistik. Këngët e përzgjedhura për të do të jenë në stilin që ai di të këndojë më mirë.
Trajnerët
Për 17 javë rresht, katër emra të rëndësishëm të muzikës shqiptare, do të jenë në këtë show në rolin e trajnerëve; ata do të përzgjedhin më të talentuarit në këngë, për t’i promovuar drejt suksesit. Secili prej trajnerëve do të formojë një skuadër, të cilën do ta drejtojë deri në fund të spektaklit.
Etapat
Pas fazës paraprake të audicioneve në qytetet kryesore të Shqipërisë e Kosovës, programi kalon në tri faza konkurrimi:
1. Audicionet e fshehura
Janë një element që e bëjnë këtë lloj formati unik në llojin e vet. Quhen të tilla, sepse bazohen vetëm në zërin e konkurrentëve. Trajnerët nuk shohin asnjë nga konkurrentët, por dëgjojnë vetëm zërin e tij, e gjithë kjo për të mos ndikuar në gjykim. Nëse trajnerit i lë mbresa një zë, ai shtyp butonin që përzgjedh konkurrentin në skuadrën e tij. Në këtë çast, ai do të kthehet me fytyrë nga konkurrenti i zgjedhur. Nëse konkurrenti zgjidhet nga më shumë se një trajner, pushteti i kalon konkurrentit, i cili do të zgjedhë se me cilin prej tyre do të dojë të vazhdojë garën. Konkurrenti shoqërohet nga orkestra live.
2. Betejat
Gjatë raundeve të betejave, konkurrentët do të vihen përballë njëri-tjetrit dy e nga dy, duke kënduar të njëjtën këngë përpara një publiku në studio. Pas përballjes së zërave, do të zgjidhet se cili prej këngëtarëve do të vazhdojë garën. Konkurrentët shoqërohen nga orkestra live.
3. Sfidat Live
Pas përfundimit të sfidave, do të mbeten vetëm konkurrentët më të fortë të secilit trajner dhe do të vazhdojnë me interpretimet live në skenë. Në këtë fazë përfundimtare të garës, konkurrentët më të fortë nga secili ekip do të garojnë kundër njëri-tjetrit në transmetim të drejtpërdrejtë. Publiku televiziv do të votojë për të përzgjedhur vetëm një konkurrent nga secili ekip, duke e lënë trajnerin të vendosë drejtpërdrejt se cilin do të shpëtojë për të vazhduar më tej garën. Në fund, çdo trajner do të ketë mbetur vetëm me konkurrentin më të fortë të ekipit të tij, që do të garojë në natën finale, ku këndohet live, me një orkestër më të madhe në numër. Nga këta të katërt, zëri më i mirë do të marrë çmimin e madh “The Voice of Albania”. Përveç çmimit të madh, show ofron edhe çmime të tjera, si promovime muzikore, kontrata me shtëpi diskografike, etj.