Shkrim i publikuar nga Gazeta Telegraf
Jeta e saj ka ndryshuar në momentin kur mori në krahë vajzën e saj. Ajo duket gjithmonë e njëjta, elegante dhe plot humor e energji, rrezaton vetëm mirësi. Teksa po flisnim në telefon për të lënë orarin e takimit, dëgjova zërin e së voglës. “Do dhe kjo dëshirat e veta, më tha Eneda, sepse gjithnjë bëj dy punë njëkohësisht. Aria e saj e vogël, katër vjeçe është gjithnjë me të ëmën, diku aty rrotull saj, madje edhe gjatë koncerteve e aktiviteteve. “Po, e kam marrë gjithnjë me vete”, thotë Eneda duke buzëqeshur. Ndaj për të gjitha këto, në këtë javë menduam të sillnim një intervistë të ngrohtë dhe miqësore me këngëtaren Eneda Tarifa. Aria është vajza e këngëtares, e cila është për të motivi i jetës. Ajo tregon detaje nga përkushtimi si nënë, kënaqësinë që ndjen teksa e sheh të rritet. Tregon se, edhe pse e lodhur, gjithmonë ka energji për t’i treguar një nga përrallat e saj të preferuara. Bashkë më të u ndalëm në momente të ndryshme të jetës së saj. Nga njëra anë muzika dhe përfshirja në formatin “The Voice Kids” e nga ana tjetër largimi i saj nga “Portokallia” dhe përkushtimi i saj si nënë, por pa harruar dhe netët live ku Eneda gjendet çdo fundëjavë. Enda është një ndër këngëtaret më të preferuara të kohës. Së bashku me Enedën jemi ndalur dhe te projektet e saj më të afërta. Eneda shprehet se një format si dhe “The voice kids” kishte kohë që e dëshironte dhe ja ku erdhi momenti që ta shijojë atë.
Eneda projekti juaj më i fundit është pjesëmarrja si trajnere në “The Voice Kids”, si ju erdhi kjo ofertë?
“The Voice Kids” është një nga programet më të rëndësishme të Top Channel këtë vit meqenëse është hera e dytë që bëhet për fëmijë. Me thënë të drejtën, me fëmijët është pak vështirë të punosh, sepse ata kanë kanë botën e tyre. Mua më erdhi shumë këndshëm kjo ofertë. Në fakt kisha kohë që e prisja dhe kisha dëshirë që të isha pjesë e panelit të jurisë. Kështu që pas largimit nga “Portokalli-a” unë arrita ta kem këtë pozicion si trajnere në “The voice kids” duke qenë se dhe eksperienca ime gjatë gjithë këtyre viteve është në favor. Jam munduar të jem shumë e kujdesshme ndaj procesit të kënduarit dhe tani që jam pjesë e këtij formati të drejtuar nga Ledioni besoj se do ta shijoj deri në fund.
Për pak ditë starton pra “The voice kids”, a mund të na zbulosh ndonjë detaj të veçantë?
Po është e vërtetë që fillon për pak ditë, pasi janë mbyllur të gjitha audicionet. E veçanta e këtij edicioni (përveç të papriturave spontane), është se Sandri dhe Renis Gjoka do jenë në një karrige bashkë dhe do të japin të njëjtin mendin pra do të sillen sikur të jenë një, ku besoj se do të ketë dhe batuta, humor sidomos kur bëhet fjalë për xhaxha e nip. Pastaj do të kemi dhe surpriza të tjera të menduara nga produksioni që do të zbulohen gjatë spektaklit.
Kur do kemi një këngë të re nga Eneda?
Për momentin kam tre projekte në duar, të tria janë drejt përfundimit. Nuk ka qenë e lehtë, sepse të zgjedhësh një këngë që të përshtatet këto kohë është shumë e vështirë, u duke qenë se nuk kompozoj vetë kam vështirësi dyfish. Jam vetëm interpretuese, por ndoshta edhe mund të kompozoj (qesh). Herë pas here nuk jam e kënaqur me gjëra, të cilat i marr nga të tjerët, prandaj edhe mendohem gjatë për materialet. Me ato mundësi që kam pasur mendoj që kam zgjedhur më të mirën.
Çfarë rryme i shkon më shumë Enedës, pasi kemi parë që ti më shumë vjen me balada?
Në fakt unë i këndoj të gjitha rrymat, por ajo që më ka karakterizuar këto kohë ka qenë kënga “me vete” ajo është e rrymës Pop-Rrok kështu që mendoj se ndihem mirë kur këndoj pikërisht atë lloj muzike .
Eneda ti ke një vajzë katër vjeçe Aria, sa kohë kalon me të?
Aria po shkon 5 tashmë, është një fëmijë që ka kërkesat e veta, mundohem t’ia plotësoj gjithmonë me aq sa kam mundësi. Për sa i përket kohës ajo që mua më duhet më shumë për të kaluar me Aria vërtet nuk e kam por atë pak kohë që kaloj mundohem të jetë kohë cilësore dhe të shërbej për të mësuar ose për të shpjeguar ose shkojmë diku për të mbaruar një punë bashkë, mundohem me aq sa kam mundësi të rri në maksimum me Arian.
Çfarë të kërkon ty Aria më shumë ?
Si çdo fëmijë dhe Aria do daljet në natyrë,dëshiron të shkojë tek lodrat, të dalë jashtë Tirane, të shkoj në det, të bëj pushime, të shkoj tek mikeshat dhe shoqet e saj të vogla. Fëmijët për çdo gjë duan nënën e tyre dhe Aria çdo gjë do ta bëjë me mua. Mund të them se është e bindur, e kupton edhe natyrën e vështirë të profesionit tim që duhet të punoj mbrëmjeve, kemi ndihmë të madhe prindërit e të dyja palëve dhe kjo na ndihmon shumë.
A mendoni se Aria kur të rritet do të bëhet një këngëtare, a ka prirje?
Unë mundoj se Aria mund të bëhet këngëtare shumë e mirë, se ajo ka prirje dhe vesh muzikor shumë të mirë, pse mos të vazhdojë, nëse ajo mendon që mund të jetë një këngëtare shumë e mirë, por nuk do ta detyroj, ajo duhet ta zgjedhë vetë rrugën e jetës se çfarë është më e mira për të .
Çmendim keni për tregun muzikor sot?
Më përpara kemi qenë të gjithë skeptikë se çfarë po bëhet, se çfarë muzike po bëhej, ku po shkojmë, pse bëjmë muzikë të ndikuar nga Ballkani dhe jo nga Evropa dhe Amerika, kurse tani ka shumëllojshmëri të rrymave muzikore ku secili gjen veten në tregun e muzikës shqiptare nuk jemi më aq shumë kritikë në këtë pikë, sepse shijet janë shije “Tutti i gusti sono giusti”, thotë italiani.
Tallavaja është futur shumë, e preferoni ju atë si muzikë ?
Nuk e preferoj, por i respektoj ata që e këndojnë dhe e kërcejnë.
Ndërkohë që jeni artiste me plot arritje dje suksese, sipas jush cili është çelësi i suksesit, një mesazh i vlefshëm, ndoshta për të gjithë artistët e rinj?
Unë mendoj se çelësi i suksesit për të arritur të bëhesh një këngëtare e madhe është talenti i madh, i spikatur e kjo është e para nuk diskutohet. Sigurisht që armë e fortë është dhe bukuria dhe ajo që t’i transmeton tek publiku me anë të mimikës. Por mbi të gjitha është vendosmëria, puna dhe menaxhimi, që janë gjithashtu të domosdoshëm për suksesin. Tani ka ardhur një kohë që menaxhimi është me i rëndësishëm se produkti ndonjëherë. Por për artistët e rinj ose ata që duan të bëhen artistë të njohur ju sugjeroj që të dëgjojnë shume muzikë, të bëjnë muzikë të mirë dhe të punojnë fort e mos dorëzohen kurrë .
Keni filluar dhe sezonin e netëve live si po shkon, sa e vështirë është të përballosh të kënduarin live dhe sa e kënaqur jeni ana financiare me punën që bëni nga?
Po është e vërtetë që kam filluar sezonin e netëve live sigurisht që ka vështirësitë e veta kjo është një rutinë për mua tashmë, një punë që unë e bëj për shumë vite. Patjetër që ka vështirësitë e veta duke qenë se është një punë që të shkëput nga familja, orar e pa orar për një kohë të gjatë duke kënduar pa u lodhur, por jam sigurisht e kënaqur pasi të ardhurat prej saj janë stabël.
Eneda Tarifa gjithmonë me linja perfekte, cila është kura që ju përdorni?
Për mua nuk janë dhe aq perfekte, por njeriu nuk qenka asnjëherë i kënaqur me linjat e tij, të paktën unë nuk jam e kënaqur asnjëherë, kështu që në momentin kur unë e shikoj që shtoj dy tre kile e mbledh pak veten edhe filloj ta ruaj veten nga ushqimet pa kujdes, mbaj pak dietë kjo është ajo që unë bej në të tilla raste.
Çfarë nuk mungon asnjëherë në çantën e Enedës ?
Ndoshta është për të qeshur, por nuk mungon asnjë herë furça dhe pasta e dhëmbëve që unë i përdor gjithmonë para një performance në skenë. Nëse nuk e bej më duket sikur nuk artikuloj mirë ose nuk këndoj mirë. E kam rutinën time.
Cila është ngjyra e preferuar?
Janë ngjyrat e lehta, ngjyrat e pastelit, megjithatë do të dalloja, të kuqen më duket sikur është ngjyrë e qeshur dhe shkon me çdo gjë.
Preferoni më shumë det apo mal?
Gjithmonë do të zgjidhja detin. Unë qe në janar filloj duke thënë dua det, dua plazh.
Pjata juaj e preferuar është?
Pjata ime e preferuar janë kërpurdhat e pjekura.
Thashethemet e fundit që keni dëgjuar për veten?
Dëgjoj përditë, por nuk merrem fare me to. Janë humbje kohe.
Era Çela