Ai ishte vetëm 12-vjec kur mahniti jurinë e “Albanians Got Talent” me vokalin e tij. Bëhet fjalë për Gjon Muharremaj, një tjetër talent shqiptar qëllimi i të cilit është që zëri i tij të dëgjohet jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj.
Tashmë i njohur si Gjon’s tears, artisti shqiptar i lindur në Zvicër rikthehet në një skenë shqiptare për të performuar sërish. Gjoni do të jetë i pranishëm në finalen e edicionit të tretë të “The Voice Kids” për të performuar projektin e tij të parë muzikor “Babi”.
Që në javën e parë të publikimit kjo prurje, falë votave të shumta të publikut rrëmbeu menjëherë vendin e parë në “The Top List”, një pozicion që e ruajti për disa javë.
Momentalisht Gjon’s tears është konkurrent në “The Voice of France” por është i vendosur të mos mungojë kurrë në skenat shqiptare duke qenë sa më pranë publikut që e duartrokiti për herë të parë.
Të premten bëhuni gati për një performancë emocionuese të Gjon’s tears me këngën “Babi” i cili me siguri do të rrëmbejë zemrat e të gjithëve gjatë mbrëmjes finale të “The Voice Kids”.