Dojna Mema ka një arsye më shumë për ta pritur me padurim “The Voice Kids”, pasi këtë herë nuk do të fshihet në prapaskenë, por do të drejtojë spektaklin. Në një intervistë për “The Voice Kids”, moderatorja rrëfeu se do të jetë shumë e lirshme gjatë prezantimit.
“Nga eksperienca e edicionit të kaluar në “Voice Room”, kuptova se formatet me fëmijët në qendër janë ata që mbartin më shumë të papritura, emocion, punë dhe argëtim. Për mua është një sfidë, të cilën mezi pres ta përballoj dhe, mbi të gjitha, ta jetoj 360 gradë çdo fazë të “The Voice Kids 3. Në ka diçka për të cilën gjendem në vështirësi është të flas për veten, megjithatë ata që më njohin mirë thonë se jam shumëdimensionale. Nuk e di as unë se ç’do të ndodhë, sepse më karakterizon sportiviteti dhe natyrshmëria, ndaj nëse do të më vijë për të qarë do qaj, nëse dua të qesh, do ta bëj” – shprehet Dojna Mema.
Mirëpo, ka një person që nuk e pëlqen aspak natyrshmërinë e Dojnës dhe ajo është nëna e saj, e cila i kërkon të mos qeshë në ekran sikur është në lagje.
“Ime më, sa herë më sheh në ekran, thotë: ‘Po mirë, s’i sheh të gjitha koleget e tua sa të përmbajtura janë kur qeshin? S’u lëviz qerpiku! Ti qesh njëlloj sikur po pi një kafe në lagje!’. Kjo, për të thënë se kamera nuk ka qenë dhe s’do të jetë kurrë pengesë për të qenë UNË, pa stisje, pa poza dhe pa menduar nëse buzëqeshja ime është ‘prej princeshe apo gocë lagjeje’. Për të qenë e sinqertë, preferoj këtë të dytën. Kështu që prisni të papriturën.” – theksoi moderatorja.
Provat për spektaklin që do të nisë në janar, kanë fillur dhe Dojna shprehet se po lidhet edhe më shumë me fëmijët që do të konkurojnë.