Përfundoi mes shumë emocionesh, të qeshurash por edhe lotësh, Nata e parë Live ku skuadra e Miriam Canit arriti të rrëmbejë zemrat e publikut që në performancën e parë.

Noa, Rroni, Margeni, Erza, Blinera dhe Anisa na mahnitën me performancat e tyre individuale dhe interpretimet e veçanta. Ata gjithashtu  arritën të ndërthurnin në mënyrë përkryer vokalet e tyre përgjatë dueteve duke e bërë Miriamin të ndihej më krenare se kurrë.

Shumë momente argëtuese ofroi dhe “Voice-Room” aty ku Flori Gjini së bashku me konkurrentët e dy skuadrave të tjera ishin Live në Facebook dhe Youtube. Së bashku me 2 opinionistët e mbrëmjes, Elma dhe Orgito, ata na rrëfyen në kohë reale opinionet dhe komentet e ndjekësve tanë në rrjetet sociale.

“V-Room” u shndërrua në një kënd mjaft unik argëtimi ku fëmijët kënduan gjatë gjithë kohës dhe ndanë emocionet e tyre me 6 artistët që ishin në konkurrim.

Një ndër momentet më drithërues të mbrëmjes ishte ai kur trajnerja Miriam duhet të përzgjidhte 2 artistë për të çuar në gjysmëfinale. Megjithëse një moment deçiziv për trajneren, ajo zgjodhi Anisën dhe Erzën ndërkohë që 4 të tjerët kaluan në televotim.

Zgjedhja tjetër që i përket publikut ishin Rroni dhe Margeni me një diferencë shumë të vogël në vota nga Noa dhe Blinera. Tashmë artistët e kësaj skuadre të cilët do t’i shohim në gjysmëfinale janë; Anisa, Erza, Rroni dhe Margeni.

Nata e dytë Live vjen shumë shpejt dhe të premten bëhuni gati për mbrëmjen e skuadrës Gjoka të cilët do të na dhurojnë po kaq shumë emocione.