Klea, arrite në Finale. Si ndihesh, e ke arritur qëllimin tënd?

Ndihem shumë shumë e lumtur. Por qëllimi im nuk ka qenë kurrë finalja apo fitorja. Kam ardhur në ‘The Voice Kids’ për t’u argëtuar dhe këtë qëllim e kam arritur më së miri, pasi jam argëtuar shumë.

Cilat janë momentet që ke kaluar në ‘The Voice’ që je argëtuar më shumë?

Mendoj se më shumë gjatë provave. Nuk numëroj dot kënaqësitë dhe gjërat e bukura që më ka dhënë ky spektakël sepse janë të shumta. Miqësitë, leksionet mbi këngën, eksperiencën, shumë gjëra, por e para në radhë është miqësia padiskutim.

Cila ka qenë marrëdhënia jote me Enedën?

Një marrëdhënie shumë shoqërore. Jemi vërtet si dy shoqe. Normalisht gjatë momenteve të provave në skenë ajo është profesoresha ime dhe si e tillë gjithçka bëhet serioze. Megjithatë edhe në skenë, edhe duke kënduar shkëmbejmë batuta dhe kalojmë situata të mbushura me humor.

Ke patur vetëm momente të bukura në ‘The Voice’ apo dhe ndonjë moment më pak të bukur?

Gjithçka ka qenë e bukur, por përjetimet kanë qenë të ndryshme. Në Natën Live kushtuar skuadrës sonë kam qarë më shumë se tre orë, aq sa humba dhe zërin për largimin e Speranzës dhe të Eixhnerit. Për të gjithë kolegët që janë larguar jam ndier keq, por atë natë emocionet ishin shumë më të forta dhe çdo gjë përjetohej trefish.

 Çfarë mendon se do të ndodhë Natën Finale?

Do të jetë një Natë shumë e bukur, plot me zëra të bukur, të fuqishëm apo drithërues. Ajo që do të doja është që publiku të edukohej me muzikën e vërtetë. Këngën ta dëgjojë dhe ta shijojë, jo vetëm ta shohë! Të arrish të kuptosh të gjitha përmasat e muzikës, si në notat e larta po ashtu dhe në ato të ulta. Të vlerësohet zëri në të gjitha nivelet e tij.