Miriam Cani ka qenë e ftuara e radhës në ‘Wake Up’ mëngjesin e sotëm. Pas Eneda Tarifës dhe Aleksandër e Renis Gjokës ishta radha e Miriamit t’u përgjigjej pyetjeve që moderatorët kishin rezervuar për trajneren e këtij edicioni të ‘The Voice Kids’.
Për Miriamin ‘The Voice Kids’ është një eksperiencë e bukur dhe që e pret me shumë emocion. E rëndësishme sipas saj është argëtimi, pasi është një spektakël që nuk synon vetëm rritjen profesionale të fëmijëve, por mbi të gjitha dëfrimin. Dhe për këtë Miriami premton se do të impenjohet maksimalisht.
Ajo rrëfen se është një natyrë e ndjeshme dhe fakti që do të ketë përballë fëmijë do ta shumëfishojë dozën e ndjeshmërisë.
E pyetur për edukimin muzikor të brezit të ri në kohët e sotme, Miriami ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me kultivimin e shijeve muzikore nisur nga ajo çka u ofrohet. Fëmijët duhet të njohin më shumë zhanre muzikore dhe të gjejnë vetveten shprehet ajo.
Duke iu referuar garës së ardhshme në ‘The Voice Kids’, ashtu si dhe në eksperiencën e saj të mëparshme si trajnere tregon se pavarësisht se tërhiqet muzikalisht nga artistët që kanë të njëjtin stil me të, nuk do të thotë se nuk është e hapur për të marrë në skuadrën e saj fëmijë që kanë stil të ndryshëm por një element artistik që befason. Çdo rrymë muzikore, e sjellë në mënyrën e duhur që arrin të trasmetojë emocion, është për trajneren e ‘The Voice’ një kriter për të shtypur butonin.
Gjatë intervistës Miriam Cani zbulon dhe detaje nga jeta me Albanin si dhe projektet e saj artistike. Për të mësuar sesi e priti Albani zgjedhjen e Miriamit si trajnere, surprizën e ‘Wake Up’ për të dhe të tjera, ju ftojmë të dëgjoni intervistën e plotë në kanalin e Top Channel në Youtube.