Pak minuta më parë përfundoi “The Voice Kids 3” dhe fituese u shpall konkurentja e skuadrës “Gjoka”, Altea. Vajza nga Korça tërhoqi vëmendjen e trainerëve që në audicionet e fshehura dhe pas një “lufte” mes tyre ajo zgjodhi skuadrën e Aleksandër dhe Renis Gjoka. Altea dalloi gjatë këtij edicioni për potencën dhe vokalin e saj të veçantë e jo më kot publiku e zgjodhi fituese.
Mbrëmja e sotme ishte e mbushur plot me emocione edhe për prezantuesen Dojna Mema e cila tashmë është lidhur shumë me fëmijët. Pasi tha emrin e Alteas si fituese, Dojna falenderoi stafin për mbështetjen dhe besimin që i dhanë në këtë edicion të tretë të “The Voice Kids”. Me zërin që i dridhej dhe sytë e përlotur ajo tregoi se kjo ekperiencë ishte me e bukura e më sinqerta për të. Dojnës ju besua një spektakël i rëndësishëm dhe një skenë shumë e veçantë siç është ajo e “The Voice Kids” të cilën e përballoi me sukses dhe lotët në fund të spektaklit janë mëse të kuptueshme e të sinqerta, ashtu si ajo vetë e cilësoi këtë eksperiencë televizive.