Në ditët e kaluara kemi publikuar galeri fotosh dhe lajme mbi spektaklin më të pritur të këtij sezoni televiziv. Megjithëse kemi përcjellë çdo gjë nëpërmjet kanaleve tona informative, kurioziteti është i madh për të mësuar detaje në lidhje me zhvillimin e fazave përzgjedhëse. Në rrjetet tona sociale marrim mesazhe dhe pyetje të pafundme lidhur me detajet mbi programin. Po aq të shumta janë informacionet që kërkohen për të ditur cili është hapi i radhës pas audicioneve.

Fëmijët që do të përzgjidhen do të kenë mundësinë të këndojnë në një skenë të vërtetë, ashtu siç kanë parë idhujt e tyre nga ekrani i televizionit, këngët e të cilëve shpesh kanë zgjedhur për të kënduar gjatë audicioneve. Fëmijët që janë paraqitur në audicionet e deritanishme, por dhe të tjerë kanë krijuar një mini komunitet virtual, duke hapur kështu në rrjetet sociale grupe të dedikuara për ‘The Voice Kids’ për të ndarë me njëri-tjetrin këtë ekperiencë. Pavarësisht gjithçkaje ata janë bërë pjesë e historisë së ‘The Voice Kids’. Ky spektakël nuk është thjesht një garë talentesh, por një dritë në skenë për të gjithë ata që e kanë ëndërruar këtë çast.

Shpresa për të qenë pjesë e skuadrës së Miriamit, Enedës apo Aleksandër dhe Renis Gjokës reflektohet në komentet në Instagram dhe Facebook. Trajnerët do të jenë ata që do të krijojnë skuadrat e tyre duke rrëmbyer më të mirët. Do të jenë ata që do t’i udhëheqin fëmijët drejt perfeksionimit artistik për të bërë të tyren skenën e ‘The Voice Kids’. Do të ketë doza të larta adrenaline që do të na serviren në çdo hap të spektaklit televiziv.