Vazhdon audicioni i fundit për ‘The Voice Kids’ në studiot e Top Channel, në Piramidë, me të njëjtën energji dhe spontanitet si herët e tjera, por me një element që është unik këtë herë. Ky është shansi i fundit për fëmijët nga e gjithë Shqipëria për t’u bërë pjesë e një spektakli, i cili për ta do të thotë shumë. Materializimi i dëshirave të tyre për të ardhmen u bë më i afërm se asnjëherë që në momentin e lajmërimit të këtij talent show.
Fëmijët kanë nisur të këndojnë përpara mikrofonit të ‘The Voice Kids’ duke hapur zyrtarisht audicionet. Shumë të tjerë presin radhën, sipas rendit numerik. Shumë prej konkurrentëve janë paraqitur shumë më shpejt orarit të shpallur në kanalet tona informative për të patur mundësinë të hyjnë në fillim.
Numri i pjesëmarrësve është i lartë dhe për këtë arsye audicionet do të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës së sotme.