“The Voice Kids” versioni për fëmijë i talent show-ut televiziv fillon sot me audicionet në Tiranë. Ky është një organizim i televizionit “Top Channel” që informon se mbi 1000 fëmijë kanë shfaqur interes të shkojnë në audicione, që kanë aplikuar online në faqen e “The Voice”. Mendohet se ka ende të interesuar edhe ndër ata që nuk kanë aplikuar në këtë formë. Përveç Tiranës audicionet do të mbahen në Vlorë, Korçë, Shkodër e më pas Prishtinë. Këtë përgjegjësi kaq të madhe për botën e fëmijëve do ta ndajnë trajnerët e zërave dhe këngëtarët që do të ulen në karriget e kuqe: Miriam Cani, Eneda Tarifa, Aleksandër Gjoka dhe Renis Gjoka. Alban Male është drejtori artistik i këtij konkursi televiziv të zërave për fëmijë. Nisur për nga impakti që ka jo vetëm tek fëmijët pjesëmarrës por edhe tek bashkëmoshatarët e tyre jashtë tij, ky format duhet të jetë në vëmendjen e të rriturve që do të jenë të angazhuar për realizimin e tij.