“Ata përfaqësojnë dy breza të ndryshëm, por kanë në dispozicion një buton të vetëm! Do t’i duhet të marrin vendime të përbashkëta, e kjo nuk do të jetë gjithnjë e lehtë. Aleksandër e Renis Gjoka vijnë në ‘The Voice Kids’ , shkruhet në faqen zyrtare të spektaklit që pritet të nis së shpejti.
Ata do të jene pjesë e jurisë së bashku me dy këngëtareve të njohura të skenës, Miriam Cani dhe Eneda Tarifa. Aleksandër Gjoka dhe Renis Gjoka, xhaxha e nip, do të gjykojnë zërat e talenteve të vegjël. Aleksandër Gjoka ka qëndruar gjithmonë larg vëmendjes mediatike, por është përherë pranë publikut me thjeshtësinë dhe origjinalitetin e tij. Për herë të parë ai pranon të jetë pjesë e ekranit për një program kaq të gjatë televiziv dhe për më tepër do të jetë në të njëjtën karrige me nipin e tij, Renis Gjoka.
Talenti duket se është i trashëguar nga xhaxhai i tij, i cili është dhe mbështetësi më i madh. Gjoka ka nisur rrugëtimin artistik fillimisht duke studiuar 8 vjet instrumentin e violinës e më pas duke provuar veten si këngëtar. Ka qëndruar që në fillim besnik i shijeve të tij muzikore duke krijuar një identitet artistik që e ka veçuar që në daljet e para. E veçanta është se ata të dy do të kenë vetëm një buton në dispozicion, pra vendimi i tyre për atë që kualifikohet ose jo duhet të jetë i përbashkët. A do jetë aq e lehtë të bien dakord…? Epo, këtë do e shohim sapo spektakli të nis.