Shkrim publikuar nga Portalb
“The Voice Kids 2” starton nesër në mbrëmje në ekranin e Top Channel. 72 fëmijë do të ngjiten në skenën e audicioneve të fshehura, ku trajnerët do të kompletojnë skuadrat e tyre në kërkim të zërit më të mirë mes talenteve të vegjël për këtë vit, transmeton Top Channel.
Pas muajsh përgatitjeje, nis të premten në orën 21.00 edicioni i dytë i “The Voice Kids”. Më shumë se 1100 fëmijë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, po ashtu edhe shumë fëmijë që kanë ardhur nga vendet e tyre të emigrimit, si Italia, Gjermania etj, mbushën sallat e audicioneve gjatë muajve shtator –tetor të vitit të shkuar.
Prej tyre vetëm 72 do të ngjiten në skenën e audiocioneve të fshehura për t’u përballur me tre karriget e kthyera me shpinë nga ta. Për kë do të shtypet butoni? Kush do të jetë në skuadrat e trajnerëve të këtij edicioni?
Në karrigen e kuqe rikthehet pas dy edicioneve në “The Voice Of Albania” 1 dhe 2 Miriam Cani. Për herë të parë si trajnere do të shohim Eneda Tarifën.
Si edhe për herë të parë në 8 edicione të “The Voice” në Shqipëri do të kemi një karrige dyshe, ata janë dy, por janë një trajner, një skuadër – Aleksandër dhe Renis Gjoka. Secili prej tyre do të ketë 18 vende të lira në skuadër, ndaj gara është e ashpër.
Publiku ende pa nisur transmetimi i spektaklit ka filluar mbështetjen me mbi 1000 foto dhe video me #voicekidsalbania në mediat sociale, si edhe shumë fan klube të krijuar në mbështetje të skuadrave.
Përmes spotit promovues “The Voice Kids” paralajmëron se do të jetë aq mbërthyes sa një përrallë epike. Emocionet janë të garantuara, çdo të premte, vetëm në Top Channel, me “The Voice Kids”.