Me largimin e Ledion Liços nga “The Voice”, edicioni i tretë i formatit të fëmijëve pati edhe të tjera ndryshime. Pasi u mësua se në vend të Ledionit, prezantimi iu besua Dojna Memës, tani që nisin edhe netët live, mësohet se në vendin që Dojna ka pasur në prapaskenë, do të jetë Flori Gjini.
Lajmi është publikuar zyrtarisht nga llogaria e “The Voice”, në Instagram. Pak orë më parë, në faqen zyrtare të “Voice of Albania” u njoftua se këtë vit “V – Reporter” i edicionit të tretë të spektaklit, në vendin e Dojnës do të jetë Flori Gjini.
Energjik, elokuent e karizmatik, Flori Gjini është një emër i ri i ekranit që premton shumë. Zërin ia keni dëgjuar jo pak ndër vite si personazh i konsoliduar radiofonik që prej moshës 9-vjeçare. Flori është bërë pjesë e ekranit të Top Channel që prej 1 viti kur sfidoi veten në rolin e prezantuesit televiziv në programin “Pushime on Top” dhe ia doli mjaft mirë.
Aktualisht, pjesë e kastit të “E Diell”, Flori merr përsipër dhe detyrën e V-Reporter në “The Voice Kids” dhe është gati të nisë aventurën e tij pranë artistëve të vegjël. Do të jetë pjesë interaktive e spektaklit në të gjitha rrjetet tona sociale dhe do të ndajë me ju të gjitha detajet e V-Room përgjatë “Netëve Live”.